Paditën marrëveshjen për Portin e Durrësit, Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e opozitës

0

TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e opozitës për të anuluar marrëveshjen me Emiratet e Bashkuara për Portin e Durrësit, të cilin 36 deputetë të opozitës e kanë cilësuar si një aferë korruptive. Në vendimin e marrë sot, sipas Gjykatës Kushtetuese, për këtë projekt nuk ka asnjë pengesë ligjore.

NJOFTIMI I PLOTË

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, pasi mori në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve çështjen me nr. 7 (Nj) 2022 të Regjistrit Themeltar, me kërkues jo më pak se një e pesta e deputetëve (36 deputetë) të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me objekt: “ Shfuqizimi i ligjit nr. 145/2020, datë 03.12.2020 “Për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe”, si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Pezullimi i zbatimit të ligjit nr. 145/2020, datë 02.12.2020, derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi”, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronjat “a” dhe “b” dhe 134, pika 1, shkronja “c”, të Kushtetutës, si dhe neneve 52, 52/a dhe 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,

VENDOSI:

1. Rrëzimin e kërkesës.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Projekti “Marina dhe Jahtet e Durrësit” parashikon ndërtimin e 12 mijë apartamenteve dhe 2 hoteleve me 850 dhoma. Projekti parashikon hapjen e 12 mijë vendeve të reja të punës dhe qeveria shqiptare ka 33.3% të pronësisë së portit. Por opozita dhe investigimet nga gazetarët dhe mediat kanë hedhur dyshime të forta për blerjen e apartamenteve nga të huajtë, faljen e tokës shtetërore për Alabbar. Ndërkohë, ka dhe akuza se ky projekt po ngrihet me paratë e mafias të vendeve të tjera.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu