SHBA- Eshtë parashikuar, që Lionel Messi ta bëjë debutimin e tij me ekipin e tij të ri më 21 korrik, kundër Cruz Azul, sipas “sport.es”, siç ka bërë me dije Jorge Mas, aksionari i klubit, për gazetarët amerikanë.
Lajmi se mbajtësi i 7 “Topave të Artë” do të luajë në MLS, ka bërë që amerikanët t’i blejnë të gjitha biletat deri në fund të sezonit.
Për shembull, në ndeshjen e muajit të ardhshëm, që mund të jetë ndeshja e parë e argjentinasit në Inter Miami, bileta më e lirë është 1.000 dollarë. Ndërsa një vend në zonën VIP, më afër fushës, arrin në 10.000 dollarë, sipas “dailystar.com”.
Para se të shpallej transferimi i Lionel Messit, çmimi i një bilete për ekipin e sponsorizuar nga David Beckham ishte nga 22 deri në 50 dollarë. Duke parë këtë interesim të madh, Inter Miami mori vendimin për të zgjeruar stadiumin e tyre nga 18.000 në 21.200 vende.