Ramazan Sino, 46 vjeç, mbeti i vrarë dhe nipi i tij Alvi Bejtja, 18 vjeç u plagos pas të shtënave me armë zjarri në banesën e këtij të fundit në fshatin Larushk të Krujës. Ngjarja ka ndodhur pak minuta pas mesnatës kur viktima dhe nipi i tij po qëndronin në veranën e shtëpisë.
Dyshohet se objektiv i atentatit ka qenë pronari i banesës, Gentjan Bejtja, por që ky i fundit u ka shpëtuar plumbave.
Në vitin 2016, atij iu vendos eksploziv në makinë por mori vetëm disa dëmtime. Ndërsa një vit më parë, ndaj tij është qëlluar me breshëri kallashnikovi teksa lëvizte me makinë në zonën e Niklës, i shoqëruar nga Klodian Stafuka. Edhe në atentatin e dytë, Gentian Bejtja mbeti i plagosur.
Bejtja rezulton person me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër personit dhe pronës, si dhe i arrestuar me arsenal armësh në banesë. Ai është hetua edhe për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, pasi u dyshua bashkë me Enver Stafukën, si një nga autorët e vjedhjes së makinës nga e cila u vra Lamaj në shkurt 2013.