Projektligji për kanabisin është miratuar ditën e sotme, nen për nen nga Komisioni i Shëndetësisë, duke marrë votat e nevojshme nga socialistët.
Kryetarja e Komisionit të Shëndetësisë, Zheni Gjergji në një intervistë në FaxNews për gazetarin Albi Rakipi ka treguar se pavarësisht kundërshtimeve, mazhoranca me “forcën e kartonëve”, arriti ta miratojë projektligjin, duke përshpejtuar procedurat.
Deputetja e PD-së, është shprehur se ka pasur kërkesa për një tjetër dëgjesë nga grupet e interesit, por e cila nuk është pranuar nga mazhoranca.
Gjergji, ngre një paralele me Maqedoninë e Veriut, për të cilën thotë, se ndonëse ka siguri më të lartë, sërish, dëmet kanë qenë të mëdha, duke qenë se është rritur implikimi i bandave dhe numri i përdoruesve te rinia.
Zheni Gjergji: Sot ishte votimi nen për nen i projektligjit për kontrollin dhe kultivimin e kanabisit në Komisionin e Shëndetësisë, që drejtohet nga unë dhe vendimi që mori mazhoranca me forcën e kartonëve natyrisht i dha leje këtij ligji që të aplikohet në Shqipëri. Ky ligj i hapë rrugë legalizimit të trafikut të paligjshëm të kanabisit në Shqipëri, krimit, pastrimit të parave dhe korrupsionit duke cenuar jetën sociale dhe rendin në vend.
Ky projektligj i paramenduar i ardhur me një shpejtësi në Kuvend me nismën e deputetëve, ka filluar procedimi në komisionet përkatëse. Ne si komision përgjegjës kemi hapur debatin për këtë ligj. Sot kemi pasur kërkesa për dëgjesa nga fondacione që lidhen me familjen edhe një delegacion nga BE, por përsëri mazhoranca me forcën e kartonit nuk ka pranuar të bëjë një dëgjesë tjetër me grupet e interesit. Ku projektligj ka mbivendosje në Kodin Penal të Shqipërisë.
Kishte disa kundërshtime, ndryshimi ose vlerësimi i projektligjit me Kodin Penal. Disa kundërshtime në analizën teknike, pikërisht, pse duhet ta merrte Ministria e Shëndetësisë përgjegjësinë për këtë projektligj. Mendoj që ky draft do të sjellë pastrimin e parave të pista që vijnë nga ky aktivitet. Është aplikuar tashmë në Maqedoninë e Veriut dhe efektet e këtij ligj kanë sjellë aktivizimin e bandave kriminale dhe rritjen e numrit të përdoruesve në rininë maqedonase.
E ngritëm këtë shqetësim. Frika më e madhe që ekziston, duke pasur parasysh si Shqipëria në të gjithë raportet ndërkombëtare është konsideruar si një vend i kalimit të drogës në Evropë dhe botë, mendoj që mosmenaxhimi i mirë i hallkave do të na sjellë probleme serioze në jetën sociale të vendit.
Mendoj që vendet që e kanë legalizuar, kanë një siguri më të madhe publike, duke parasysh që Shqipëria sipas OKB-së rendit e shtata në trafikun e lëndëve narkotike, duke pasur parasysh krimin e organizuar që ka dhe mbështetje politike, ky ligj do të çedojë.