Flasin familjarët e 4 viktimave që u mbytën në liqenin e Banjës në Gramsh: Na thanë nuk do vonohemi shumë! Kur erdhëm pamë rrobat në breg e nisëm të kërkojmë

0

Një tragjedi ndodhi pasditen e djeshme në Gramsh.

Arben Zogu 46 vjeç dhe bijtë e tij, 19-vjeçari Ruben Zogu dhe 14-vjeçari Esti Zogu, së bashku me nipin e tij, 20-vjeçari Melsi Zogu janë mbytur në Liqenin e Hidrocentralit të Banjës në fshatin Drizë.

Ishin familjarët që kanë njoftuar autoritetet duke thënë se janë futur në liqen dhe nuk kanë dalë më.

“Kushërinjtë tanë janë ata tre të tjerët. Do dalim për t’u larë thanë, ja motorët këtu, me telefona siç ishin me shapka dolën nga shtëpia. Nuk do vonohemi shumë, thanë. S’dimë gjë tjetër më… U nisën në orën 15:00, në orën 17:00, i merrnim në telefon dhe nuk përgjigjeshin”, u shprehën në një prononcim të shkurtër për gazetarët familjarët e viktimave.

“U detyrova që të merrja një makinë dhe erdha me vrap. U futa deri diku, por nuk gjeta gjë. Djalin kam. Ata ikën për t’u larë. Babai me dy fëmijët e tjerë janë kushërinjtë tanë. I kanë me motor e telefona këtu. U nisën në orën 3 dhe i morëm në orën 17:00 në telefon. Kanë ardhur këtu janë larë. Nuk dimë më gjë më tej”, tha babai i 20-vjeçarit.

Kërkimet me ankth për katër trupat e mbytur kanë zgjatur rreth dy orë.

Kanë qenë forcat palombare të RENEA-S, të cilët pak orë para mesnatës kanë arritur të nxjerrin nga liqeni që shkaktoi tragjedinë, të parin babain 46-vjeçar dhe më pas trupat e tre djemve që ishin në lule të rinisë.

Shefi i zjarrfikëses në Gramsh, Ilir Llapushi tha se të gjithë nuk kanë ditur not dhe se kanë humbur jetën në tentativë për të shpëtuar njëri-tjetrin. Sipas tij, ky liqen nuk është për t’u larë për ata që nuk dinë not, për shkak se është i gjithi i thellë dhe ka gropa, gjithashtu i pyetur për tabelat paralajmëruese, Llapushi ka thënë se nuk ka qenë e nevojshme, pasi qytetarët e dinin që nuk duhet të lahen atje.

Madje, ai ka thënë se e patrullojnë shpesh liqenin, por fatkeqësisht, ditën e fatalitetit nuk e kanë bërë diçka të tillë.

Ilir Llapushi: Kanë tërhequr njëri tjetrin. Është mbytur i pari, ka shkuar tjetri për ta ndihmuar, dhe më pas tjetri dhe më pas djali tjetër. Nuk kanë ditur not.

Këtu fatkeqësisht ka pasur disa gropa që janë bërë në kohën e bërjes së HEC-it të Banjës. Kanë marrë dhe për HEC. Kur janë future për t’u larë nuk kanë ditur gjë për gropat dhe kanë tërhequr njëri tjetrin.

Në këtë liqen nuk lahet njeri. Këtu nuk është plazh. Ata nuk e ditur, mbase kanë ardhur për peshk, nuk e di. Ne patrullojmë vazhdimisht këtu dhe këtu nuk lahet njeri. Edhe dje ishim. Patrullojmë liqenin me gomone, por fatkeqësisht sot nuk erdhëm.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu