Prag tragjedie në Himarë, teksa pesë persona kanë mbetur të lënduar pasi ka shpërthyer një bidon me 28 litra benzinë që ndodhej brenda një skafi.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur në zonën e Drimadhës, ku në skaf ndodheshin disa turistë nga Kosova. Mjeti lundrues, në pronësi të një kompanie turistike, sapo kishte dalë në det nga korridori ujor i miratuar, kur ka shpërthyer bidoni.
Shkak i shpërthimit dyshohet nxehtësia, ndërsa turistët e plagosur ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i policisë:
Dhërmi, Himarë/Informacion paraprak
Rreth orës 17:30, në zonën e Drimadhës, Himarë, në një mjet lundrues skaf në pronësi të një kompanie turistike, që sapo kishte dalë në det nga korridori ujor i miratuar, dyshohet se si pasojë e vakumit dhe nxehtësisë, ka shpërthyer një bidon me 28 litra benzinë.
Nga sprucimi i benzinës kanë pësuar djegie të lehta shtetasit A. K., 24 vjeç, A. H., 24 vjeç, L. S. 24 vjeç dhe M. K., 21 vjeçe, të katërt nga Kosova, si dhe drejtuesi i skafit, shtetasi N. L., 32 vjeç, banues në Vlorë.
Të pestë këta shtetas kanë marrë ndihmën e parë mjekësore dhe më pas janë larguar pasi dëmtimet ishin të lehta.
Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të shkakut të përfshirjes nga zjarri, të mjetit turistik.