Rama publikon foton nga puna në sistemin e Kadastrës: Thonë pastaj që s’funksionon

0

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me akuzat për mosfunksionimin e sistemit online të Kadastrës. Përmes një postimi në rrjetin sociale “Facebook”, Rama ka shpërndarë një foto nga fluksi i punës në sistemin digjital, ku evidentohen data hyrëse dhe dalëse.

Shefi i qeverisë nënvizon se sistemi online është funksional ku qytetarët marrin shërbime pa patur nevoja për sekserë dhe për të dhënë rryshfet.

 

“Dhe thonë e thonë s’funksionon sistemi i ri i Kadastrës…

 

 

Kjo është vetëm një fotografi e fluksit të punës së sistemit digjital, ku mund të shihen qartë datat hyrëse e dalëse të aplikimeve, pa sportel, pa kontakt fizik me punonjësit, pa mundësi ndërhyrjeje nga lart, poshtë, anash për të marrë e dhënë favore, pa shans për rryshfet sepse sistemi nuk ha mik dhe pa të gjitha sekëllditë e tmerret e të kaluarës në marrjen e shërbimit.

 

Ndërkohë që po, e vërtetë, s’funksionon më sistemi i vjetër, zhbëhet përditë rrjeti i sekserëve, influencave të llojllojshme, buburrecave e minjve brenda kadastrës, të cilët vazhdojnë të dorëhiqen prej tharjes së burimeve të pista, vazhdon papushim puna për përmirësimin dhe rritjen e efiçencës së sistemit të ri, i cili ka ende problemet e veta, por edhe kështu siç është ka dhënë dy prova të mëdha, si një sistem ARMIQËSOR ME KORRUPSIONIN dhe MIQËSOR ME QYTETARIN”, shkruan Rama.