SHBA “ultimatum” Serbisë: Tërhiqni trupat ushtarake nga kufiri me Kosovën

0

“Ne i bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri dhe të vazhdojë të ulë tensionet”

Kordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, shprehu shqetësimin e Uashingtonit, për “dislokimin e madh” të trupave të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën.

“Ne do të monitorojmë dislokimin e madh serb përgjatë kufirit me Kosovën. Ne i bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri dhe të vazhdojë të ulë tensionet”, tha Kirby gjatë një bisede me gazetarë ditën e sotme.

Kirby u pyet nëse ky grumbullim i trupave ushtarake pranë kufirit është sinjal se Serbia po përgatitet për ndonjë pushtim ushtarak.

“Po e shikojmë, po e vëzhgojmë. Por, qëllimi [i grumbullimit të trupave ushtarake serbe], nuk mund ta them tani”, tha ai.

Kirby tha se gjatë bisedës që sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, zhvilloi më herët gjatë ditës me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, ka kërkuar që Serbia të ulë tensionet. Ai shtoi se incidentet e dhunshme, sikurse ai i majit ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, por edhe ai në Banjskë, paraqesin rrezik jo vetëm për personelin e sigurisë së Kosovës, por edhe të NATO-s.

“Ky cikël shqetësues i dhunës është përkeqësuar”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara kanë dënuar ashpër sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, më herët ka kërkuar që autorët e krimit të “mbahen përgjegjës përmes një procesi transparent të hetimit”. Vuçiç, ndërkaq, më herët tha se Blinken ka paralajmëruar masa ndaj Serbisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu