ZVICER – Sezoni që po kalojmë është i fundit në të cilin do të shohim ndeshjet e kupave evropiane të futbollit (Champions League, Europa League, Conference League) në formatin që jemi mësuar.
Në formatin e ri duke filluar nga viti i ardhshëm nuk do të kemi grupe, ku skuadrat do të luajnë 8 ndeshje (4 në shtëpi 4 jashtë) dhe një rezultat të përbashkët, megjithatë ky sistem siç zbulon El Pais është kalimtar.
Sipas mediave spanjolle, grupi i punës i ngritur nga UEFA dhe ECA (shoqata e klubeve evropiane) kanë dalë me një plan që do të zbatohet nga viti 2027 dhe i cili në thelb i referohet Superligës së famshme evropiane që disa klube të mëdha në Europë, u përpoqën të krijonin, vitin e shkuar.
Sipas publikimit të El Pais, tre kupat evropiane do të bëhen një, por në tre kategori dhe emri që i është vënë kategorisë së parë është… Superliga. E cila nëse konfirmohet do të jetë një kundërpërgjigje absolute ndaj skuadrave që krijuan ECL. Kategoria e dytë do të quhet Liga Evropiane dhe Liga e tretë Aspiruese.
Mes kategorisë së dytë dhe të tretë do të ketë katër ngjitje dhe rënie, ndërsa mes të parës dhe të dytës vetëm dy, sepse klubet më të forta – sipas gazetës spanjolle – nuk duan rreziqe, ndërsa thuhet se kërkojnë që rëniet e tyre të mundshme të mos vendosen nga vlerësimi i një viti, por nga mesatarja e tre deri në pesë viteve të fundit.
Sigurisht që për zbatimin e planit do të duhet të zgjidhen disa probleme, siç është kalendari i ndeshjeve. Zhvillimi i 34 ndeshjeve evropiane do të ishte një katastrofë për kalendarin, ideja e propozuar është që të kemi dy grupe, me një fazë finale. Më pas është roli i kampionateve kombëtare. Ka spekulime se fitimi i titullit ose një vend i mirë në ligën tuaj mund të sjellë një bonus financiar dhe ndoshta më shumë pikë në renditjen e Superligës.
Klubet mund të zgjerojnë listën e tyre në 34 lojtarë për të konkurruar në frontin europian dhe atë vendas, ndërkohë që po flitet sërish për fundjavat që i kushtohen ndeshjeve europiane apo vendase.