Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e pjesëtarëve të grupit të “xhihadistëve”, që rekrutonin shqiptarë, dhe i dërgonin ata në Siri për të luftuar për grupimet terroriste ISIS dhe Al Nusra. Shkalla më e lartë e gjyqësorit ka lënë në fuqi vendimin e ish Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda.
Kështu, ndaj Orion Reçit dhe Verdi Moravës do mbetet në fuqi vendimi i Apelit, që i shpalli ato fajtor duke i dënuar me 13 vite burg.
Në nëntor të vitit 2016 ish gjykata e Apelit për Krime të Rënda, dënoi me vendim të formës së prerë nëntë të aluduarit për rekrutim të shqiptarëve dhe dërgimin e tyre në Siri për të luftuar për grupimet terroriste atje. Kujtojmë se për këtë çështje u shpallën fajtor dhe u dënuan Bujar Hysa, i akuzuar si drejtues i grupit, u dënua me 18 vjet burg ndërsa Gerti Pashja e Genci Balla u dënuan me nga 17 vjet. Zeqir Imeri u dënua me 16 vjet ndërsa Verdi Morava, Orion Reçi e Edmond Balla u dënuan me nga 13 vjet. Fadil Sylejmani u dënua me 12 vjet ndërsa Astrit Tola u dënua me 7 vjet. Në total, dënimi për ta është 126 vjet. Prokuroria pati kërkuar 152 vjet. Vendimi u dha më 30 nëntor të vitit 2016, ku ata u shpallën fajtor duke u dënuar me vendim të formës së prerë me 126 vite burg në total, ndërsa prokuroria kish kërkuar 152 vite për nëntë të pandehurit.
Vendimi ne atë kohë, u dha nën masa të rrepta sigurie, pasi pas shpalljes së tij, pati tension nga vetë të pandehurit, dhe familjarët e tyre. Nëntë të akuzuarit si anëtarë të një rrjeti rekrutuesish për xhihadistë u arrestuan në mars të vitit 2014, pasi Shqipëria adoptoi një legjislacion të ri për hetimin dhe dënimin e pjesëmarrjes në konflikte të huaja. Hetimet 2-vjeçare, të asaj kohe zbuluan se mbi 100 shqiptarë, mes të cilëve edhe gra e fëmijë shkuan në Siri përgjatë viteve 2012-2014.