Ambasadori turk në Tiranë: Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë janë të shkëlqyera

0

Në Tiranë është organizuar forumi me temë “Partneriteti Strategjik Turko-Shqiptar – Qasja e Türkiyes ndaj Ballkanit”, ku si folës kryesor në forum ishte i ftuar ambasadori i Türkiyes në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, i cili në fjalën e tij u fokusua tek marrëdhëniet dhe partneriteti strategjik mes Shqipërisë dhe Türkiyes, tek qasja e Türkiyes ndaj Shqipërisë dhe rajonit, si dhe në çështje të tjera.

Në aktivitetin e organizuar nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare (AIIS) në ambientet e Shtëpia e Librit “Tirana Times”, në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Türkiyes, ishin të pranishëm përfaqësues nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë (MEPJ), ambasadorë dhe diplomatë të tjerë të vendeve të ndryshme, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, studiues dhe pedagogë.

Gjatë fjalës së tij, ambasadori Atay tha se viti 2023 është një vit shumë i veçantë për Türkiyen, sepse festojnë edhe 100-vjetorin e Republikës.

Ai shtoi se Marrëveshja e Miqësisë dhe Bashkëpunimit të Përjetshëm me Shqipërinë, e nënshkruar në vitin 1923, vendosi marrëdhëniet diplomatike midis dy kombeve.

“Të gjithë janë të vetëdijshëm se ne kemi një histori të përbashkët. Për shekuj në fakt, dy shoqëritë janë të lidhura thellësisht me njëra-tjetrën dhe ne ndajmë një trashëgimi të përbashkët dhe jetojmë krah për krah”, tha ambasadori turk.

Duke i konsideruar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Türkiyes të shkëlqyera, ai rikujtoi se presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në vitin 2021 nënshkruan një deklaratë të përbashkët politike, ku marrëdhëniet mes dy vendeve u ngritën në nivelin e partneritetit strategjik.

“Natyrisht, që atëherë marrëdhëniet, që tani janë në nivelin e partneritet strategjik, fituan një dinamizëm. Janë bërë shumë vizita ministrore për të përmbushur kuadrin e deklaratës politike. Dhe ne po krijojmë tashmë me këtë deklaratë, Këshillin e Nivelit të Lartë të Bashkëpunimit. Ne synojmë të organizojmë një takim të nivelit të lartë të Këshillit në muajt në vijim”, tha Atay.

Ai gjithashtu tha se mendojnë se ka hapësirë të mjaftueshme për të çuar më tej tregtinë mes dy vendeve dhe shtoi se janë rreth 600 kompani turke që operojnë në Shqipëri.

Ambasadori Atay u ndal edhe në angazhimin dhe mbështetjen e institucioneve turke në Shqipëri, ku theksoi se Agjencia Turke për Koordinim dhe Zhvillim (TIKA) ka përfunduar qindra projekte, nga fushat e arsimit deri te projektet e përmirësimit të infrastrukturës, si dhe restaurimi i trashëgimisë së përbashkët, ndërsa përmendi edhe praninë e shkollave të Fondacionit Turk Maarif dhe qendrat kulturore turke.

Ambasadori turk tha se vlerësojnë rolin e rëndësishëm dhe përpjekjet konstruktive të Shqipërisë në NATO, OKB, OSBE, si dhe në organizata të tjera. Ai shtoi se konsiderojnë se Shqipëria po jep një kontribut për stabilitetin dhe paqen në rajon.

Duke iu përgjigjur pyetjes mbi zhvillimet dhe tensionet e fundit në veri të Kosovës, Atay tha se bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian (BE) janë e vetmja mënyrë për të ecur përpara dhe shtoi se “ne jemi të gatshëm të marrim pjesën tonë nëse nevojitet”.

“Mendojmë se situata politike, ekonomike dhe e sigurisë në Ballkan mbetet shumë e brishtë. Pas pandemisë, ekonomitë po rikuperoheshin ngadalë, por më pas ato u goditën nga agresioni rus në Ukrainë. Siguria e ushqimit dhe energjisë po bëhet gjithashtu një shqetësim në rritje”, tha ai.

Duke theksuar se ka komunitete turke në disa vende në Ballkan dhe gjithashtu në Türkiye ka shumë shtetas turq me origjinë ballkanike, Atay tha se, “Kjo e bën Ballkanin jo vetëm një zonë me interes të politikës së jashtme për ne, por edhe një shqetësim të brendshëm”.

Ai shtoi se kanë edhe marrëdhënie tregtare dhe ekonomike në rritje me vendet e Ballkanit.

“Türkiye ka një aftësi në rritje për të biseduar në mënyrë konstruktive me të gjitha palët, pavarësisht nga përkatësia etnike dhe fetare, kështu që ne mund të flasim me këdo në rajon dhe kjo krijon një avantazh për ne”, tha ambasadori Atay.

Kreu i AIIS, Albert Rakipi, tha se Türkiye mbështeti tranzicionin shqiptar në vitet 90-të.

“100 vjet është një kohë e gjatë, dhe veçanërisht 30 vitet e fundit, marrëdhëniet janë shumë intensive, në ekonomi, siguri, mbrojtje, kulturë dhe turizëm”, tha Rakipi.

Vlen të theksohet fakti se gjatë këtij viti kanë qënë të shumta aktivitetet e përbashkëta të zhvilluara mes dy qeverive asaj shqiptare dhe turke.

 


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu