IZRAEL- Presidenti i SHBA Joe Biden tha se Izraeli nuk goditi spitalin e Gazës. Pas komentit të tij, Biden sqaroi se ai citoi “të dhënat që m’u treguan nga departamenti im i mbrojtjes”, kur u pyet të mërkurën se çfarë e bëri atë të bindur se izraelitët nuk ishin pas shpërthimit të spitalit në qytetin e Gazës, raporton CNN.
“Duket sikur është bërë nga ekipi tjetër”, – u shpreh Biden gjatë një takimi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Përpara se Biden të nisej për në Izrael, sipas një zyrtari amerikan, qeveria nuk kishte nxjerrë ende një përfundim në lidhje me burimin e bombardimit në spital dhe Biden kishte udhëzuar ekipin e tij të sigurisë kombëtare që të vazhdonte vlerësimin e informacionit të ardhur.
Ndërkohë autoritetet në Gaza kanë thënë se Izraeli qëndron pas shpërthimit vdekjeprurës në spital, ndërsa Forcat Mbrojtëse të Izraelit thanë se raketat e Hamasit dështuan gjatë lëshimit.