IZRAEL- Izraeli bombardoi këtë të premte një spital në Rripin e Gazës dhe Hamasi iu përgjigj me raketa në qytetin Sderot. Sulmet ndodhën menjëherë pas deklaratave të grupit të Hezbollahut, ku ndër të tjera sulmoi Shtetet e Bashkuara si përgjigje për situatën e krijuar.
Në veçanti, Hamasi kreu një sulm me raketa të premten pasdite në qytetin Sderot pranë Tel Avivit. Njëra prej raketave ka goditur pak minuta më parë pranë ekipeve televizive, mes të cilëve edhe ekipin e ERT. Raketa shkatërroi makinat e ekuipazhit televiziv. Ky sulm u pa nga shumë si një përgjigje ndaj dronit izraelit, i cili goditi hyrjen e spitalit Al Shifa në Rripin e Gazës duke vrarë një numër ende të panjohur njerëzish.
Zëdhënësi i Ministrisë palestineze të Shëndetësisë në Gaza, Ashraf Al-Quada, tha se pacientët e plagosur rëndë po transportoheshin në vendkalimin Rafah për të kaluar në Egjipt dhe për t’u trajtuar në spitalet egjiptiane kur granatimet izraelite goditën jashtë spitalit Al-Shifa. Sipas tij, autokolona e ambulancës e goditur nga bombardimet izraelite mbante 15-20 palestinezë të plagosur rëndë.
Para bombardimeve, Hasan Nasrallah që udhëheq grupin shiit Hezbollah e konsideroi të mençur dhe në kohën e duhur sulmin e Hamasit më 7 tetor. Por sipas tij, ai ishte një sulm që Hamasi e ka bërë i vetëm pa u konsultuar me aleatët. Ai fajësoi Shtetet e Bashkuara si përgjegjëse të situatës, dhe forcat e Hezbollah do të sulmojnë forcat amerikanë në Irak dhe Siri.