Vendi ynë do të përfshihet nga reshje të dendura shiu dhe me stuhi në perëndim dhe reshje bore në verilindje dhe juglindje.
Në Kukës reshjet e dëborës kanë arritur deri në 20 cm dhe disa fshatra kanë mbetur pa energji elektrike. Edhe rruga e Kombit ka vështirësi në qarkullimin e mjeteve për shkak të reshjeve të dëborës.
Ndërkohë për shkak të motit të keq një makinë ka dalë nga rruga nacionale Bulqizë-Peshkopi, duke bërë që ky aks të bllokohet. Ngjarja ka ndodhur tek zona e quajtur “Pishat”.
Deri më tani, më këtë segment rrugor nuk është shfaqur asnjë borë-pastruese, pavarësisht situatës krirtike.
Sipas IGJEUM, shtrëngatat dhe intensiteti i lartë i reshjeve mund të krijojnë probleme të ndryshme si dhe vërshime të ujit në zonat urbane në qarqet Shkodër, Kukës dhe Lezhë. Në qarqet Dibër, Elbasan, Berat dhe Vlorë priten reshje shiu me intensitet mesatar deri në intensive në disa zona.
Temperaturat minimale do të luhaten nga -2-8 gradë, temperaturat maksimale parashikohen 9-11 gradë në veri dhe në zonat e ulëta dhe pranë bregdetit 14-16°C. Era do të jete me drejtim veri – perëndim me shpejtësi 10-20 m/sek dhe dallgëzim të forcës 5 ballë në det të hapur.
Hera-herës reshjet pritet të jenë në formën e shtrëngatave shoqëruar me shkarkesa elektrike.