Themeluesi i Top Medias Dritan Hoxha, është dekoruar me titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj. Ky nderim nga kreu i shtetit për vizionarin që transformoi konceptin e medias vizive në Shqipëri, vjen 15 vite pas ndarjes së tij nga jeta.
Si një ëndërrimtar e vizionar i palëkundur, guximtar në krijimtari, inovator e pasionant e cilësoi Begaj themeluesin e Top Medias, që arriti të krijojë një vepër të papërsëritshme për nga dimensionet.
“Njeriu që punoi natë e ditë për të realizuar projektin e jetës, ai e meritoi mbiemrin e ri me të cilin njihej si Tani i Topit.”-tha Begaj.
Drejtuesja e Top Channel, Lori Hoxha me fjalë falenderuese mbi të gjitha u shpreh se:”Në emrin tim dhe të gjithë familjes, doja të falënderoja zotin President për nderin dhe vlerësimin që iu bë sot tim ati. Për ne është lumturi e madhe që sot pas 15 vitesh nga ikja e tij, ai mbahet gjallë nga veprat dhe nga ndikimi që pati tek jeta e çdo shqiptari. Unë jam mirënjohëse për atë, po aq sa duhet të jetë çdo shqiptar. Për njeriun e pakapshëm që ishte dhe për dëshirën që pati për të ndërtuar një media, e cila edhe sot jeton me frymën dhe vizionin që ai la. E vetmja media shqiptare që vazhdon e mbahet me dëshirën për të bërë gjëra të bukura, e për t’i shkuar sa më afër të vërtetës në çdo gjë që bën. Media e cila ruan me dinjitet themelet duke vrapuar drejt së ardhmes pa frikë dhe pa kompromise. E vetmja media e trashëguar te brezi i ri. Ai brez që e mësoi shqipen të pacenuar sepse Dritan Hoxha besoi fort se e ardhmja është shqip, dhe ajo s’duhet prekur. Media e cila çdo ditë ka mbi tetë prodhime shqip, e çdo mbrëmje flitet shqip. Media që e ruan edhe kur humb gjuhën dhe trashëgimin.”