Në konferencën e fundvitit me gazetarët, kryeministri Edi Rama u ndal edhe te turizmi. Ai tha se për nga numri i pasagjerëve, aeroporti i Tiranës, është ngjitur në krye krah për krah me atë të Beogradit. Sakaq shtoi se paga mesatare në sektorin publik do të shkojë 900 euro.
“Paga mesatare në sektorin publik do të shkojë në 900 euro. Aeroporti i Tiranës është ngjitur në krye krah për krah me aeroportin e Beogradin, me numrin më të lartë të pasagjerëve në rajon. Ndërkohë, është aeroporti me rritje më të madhe të pasagjerëve në të gjithë klasifikimin për të gjithë Europën. Mbi gjysmë milioni udhëtarë kanë zbritur në portin e Sarandës. Kjo më duket shumë domethënëse për potencialin që ka. Ne i kemi hapur rrugën një investimi të ri për portin turistik të Sarandës. Jemi në procesin e vlerësimit të një transformimi edhe të portit ekzistues të Sarandës.
Programi i mbështetjes financiare i nënave me 3 fëmijë ka ecur shumë mirë, po ashtu edhe programi i mbështetjes së të moshuarve mbi 65 vjeç për fishat e diabetit. Janë punësuar 391 mjekë të rinj dhe mbi 1 mijë infermierë. Janë instaluar 12 laboratorët e parë të inteligjencës artificiale të shkollave publike. Këtë vit është rritur ndjeshëm paga e personelit akademik dhe është rritur me 40 përqind investimi për arsimin e lartë”, tha Rama.