SHKODËR- Kreu i SPAK, Altin Dumani ka zhvilluar sot një takim me studentët e universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër.
Gjatë fjalës së tij ai u pyet nëse do të merret në pyetje kryeministri Edi Rama lidhur me çështjen “McGonigal”. Dumani tha se nuk ka rëndësi emri apo pushteti që ka, pasi sipas tij në një moment kushdo do të japë llogari në SPAK apo gjykatë.
“Nuk mund të përgjigjem për pyetje të caktuara. Nuk ka rendësi emri, por provat, dhe nuk ka rëndësi pushteti që ka pasi në një moment do t’i duhet kujtdo që të vijë dhe te japë llogari në SPAK apo gjykatë.
Ne jemi te ndjeshëm ndaj asaj që ndodh edhe në media apo kudo tjetër. Shumë media në muajin shkurt të vitit të kaluar dhe deri para 2-3 muajsh kemi marrë kritika pse nuk kemi regjistruar çështjen e McGonigal dhe gjithë kritiket duhet të ndjehen të zhgënjyer, sepse e kemi regjistruar që në janar të vitit 2022. Duhet te presim momentin kur te kemi diçka konkrete për ta publikuar.”, tha Dumani.
Duke u ndalur te çështjet që përfshijnë subjekte të nivelit të lartë, Dumani tha se duhet të priten vendimet e gjykatave.