SHKUP- Kryeminstri i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut, Hristian Mickoski po komentoi reagimet greke për zgjedhjet në Maqedoni tha se nga ata prisnin urime, por që sipas tij morën “muskuj politik”.
Lideri i VMRO-së, partia e të cilit fitoi zgjedhjet pak ditë më parë, e quajti dinjitoz betimin solemn të presidentes Gordana Silanovska, i cili nxiti shumë reagime, pasi ajo e quajti vendin e tyre “Maqedoni” dhe jo “Maqedoni e Veriut”.
“Prisja që fqinji ynë jugor të na uronte. Përkundrazi, për fat të keq, na treguan muskujt e tyre politikë. Nuk pres që raportet mes dy vendeve të bazohen në kushtet politike. Pres të kemi raporte të mira ndërfqinjësore. Vlerësoj se edhe VMRO-ja dhe Qeveria e atjeshme që udhëhiqet nga Demokracia e Re kanë qëndrime e tyre tëndryshme për “Prespën”. Në dallim nga ata, Marrëveshja e Prespës këtu është pjesë e Kushtetutës dhe ligjeve maqedonase. E drejta ime njerëzore është se si do ta quaj vendin tim. Derisa jap deklarata para gazetarëve, unë por pres që edhe Presidentja Siljanovska, të shfrytëzohen termet “Maqedoni” dhe “Maqedonasit”, për shkak se sipas interpretimit tonë të “Prespës” nuk e shkelim marrëveshjen.”, tha ai.
Ndër të tjera Mickoski i bëri thirrje Greqisë që të ndalojë sulmet ndaj vendit të tij dhe nëse pretendon për shkelje të Marrëveshjes së Prespës t’i drejtohet Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
“Nëse ata mendojnë se ne e kemi shkelur Marrëveshjen e Prespës, le të shkojnë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Ata mund të fillojnë një proces dhe aty do të shohim argumentet e njërës palë dhe tjetrës. Do të doja të shkoja atje. U dërgoj mesazh miqve në Greqi, t’i ndalim kërcënimet dhe obstruksionet, të mos kthehemi në të kaluarën, të shikojmë drejt së ardhmes”, tha ai.
Mickoski pret që së shpejti të realizohet një takim me Kryeministrin grek dhe siç tha ai vetë, të bisedojnë për bashkëpunime në pjesën e ekonomisë, turizmit, arsimit e të ngjashme.