Vodhi mbi 500 mijë euro duke mashtruar qytetarët! Apeli dënon me burg ish-punonjësen e Kuvendit

0

Milena Deraj është dënuar nga Apeli me pesë vite burg. Ish-punonjësja e Kuvendit akuzohet për mashtrim duke përfituar shuma të mëdha parash nga qytetarë që kërkonin ndihmë nga ajo.

Deraj punonte në Bankën e Shqipërisë në pozicionin e Ekonomistes kur kreu aktin penal të mashtrimit.

Ajo ka përfituar 340 mijë euro nga njuë shtetas i cili i ka kërkuar zgjidhjen e një çështjeje gjyqësore. Mikesha e saj gjithashtu ka bashkëpunuar me të duke i marrë 250 mijë euro duke i premtuar qytetarit se do t’i investonte paratë e tij.

Njoftimi:

Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, mbi bazën e materialeve kallëzuese të vitit 2023, ka regjistruar procedimin penal për veprën penale të “Mashtrimit”, ndaj të pandehurës me Milena Deraj, ish punonjëse e Bankës së Shqipërisë, me profesion ekonomiste. E pandehura ka përfituar shumën prej 340.000 Euro, duke mashtruar shtetasin me iniciale A. D etj, duke i marrë përsipër zgjidhjen e çështjes gjyqësore, ndaj disa të pandehurve. Po ashtu dhe shoqes së saj me iniciale E. Sh, i ka marrë shumën prej 250.000 Euro, duke premtuar se këto para do t’i investonte në bono thesari.

Në Gjykatën e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është zhvilluar gjykimi kundër të pandehurës me iniciale M. D, e akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit” me pasoja të rënda, parashikuar nga neni 143/3 të Kodit Penal.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 1088, datë 30.04.2023 ka vendosur:

1. Deklarimin fajtore të pandehurës M. D, për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit” me pasoja të rënda, parashikuar nga neni 143/3 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e saj me 7 (shtatë) vite e 6 (gjashtë) muaj burgim.
2. Në aplikim të nenit 406 te Kodit te Pr.Penale, i ulet 1/3 e masës se dënimit dhe përfundimisht e pandehura M. D, dënohet me 5 (pese) vite burgim.
3. Vuajtja e dënimit do të fillojë nga dita e ndalimit datë 25.05.2023. Dënimi i mbetur do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga e pandehura me iniciale M. D, e cila kërkoi:

1. Ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
2. Deklarimin e të pandehurës të pafajshme.
3. Në rast se gjykata e gjen fajtore kërkojmë:
– Deklarimin fajtore të të pandehurës, për veprën penale të “Mashtrimit”, të parashikuar nga neni 143/3 të Kodit Penal dhe dënimin e saj me 5 (pesë) vite burgim.
– Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e dënimit duke e dënuar përfundimisht me 3 (tre) vite e 4 (katër) muaj burgim.
– Aplikimin e nenit 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënien e të pandehurës në provë.

Në përfundim të gjykimit, sot më datë 13.06.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, trupi gjykues me Relator Gjyqtar z. Fatri Islamaj dhe anëtare znj. Edlira Petri dhe znj. Marsela Pepi, vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit nr. 1088, datë 30.04.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu