“Do të prekë zemrat e një audience globale”/ Filmi “Pikë Uji” përfaqëson Shqipërinë në Çmimet Oscar

0

Filmi shqiptar “Pikë Uji” është përzgjedhur për të përfaqësuar Shqipërinë në garën për Oscar, në kategorinë e filmave të huaj

Filmi shqiptar “Pikë Uji” është përzgjedhur për të përfaqësuar Shqipërinë në garën për Oscar, në kategorinë e filmave të huaj, në garën për Filmin më të Mirë Ndërkombëtar në edicionin e 97-të të Academy Awards, njofton Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Ky film, me regjisor Robert Budina dhe me skenar Robert Budina, Doruntina Basha, Ajola Daja është një triller emocionues që eksploron botën psikologjike të një nëne të fuqishme, e cila gjendet e detyruar të përballet me një sistem të pamëshirshëm manipulimi për të mbrojtur të birin. Filmi ngre pyetjen thelbësore: deri ku mund të shkojë një nënë për të mbrojtur fëmijën e saj?

I prodhuar në vitin 2024 nga EraFilm, “Pikë Uji” mban mbërthyer për 91 minuta publikun, të cilët në Shqipëri pati një pritje të jashtëzakonshme,

Kasti kryesor përbëhet nga Gresa Pallaska (Aida); Arben Bajraktaraj (Iliri); Gerhard Koloneci (Beni); Adem Karaga (Elvis); Paolo Iancu (Mark); Henri Topi (Denis)

Filmi pritet të ketë premierën ndërkombëtare në festival të kategorisë A e më pas do shfaqet në kinematë e vendeve të Ballkanit, Spanjës, Italisë, Austrisë dhe Gjermanisë, duke zgjeruar audiencën e tij përtej kufijve shqiptarë.

“Jam thellësisht i nderuar që ‘Pikë Uji’ është përzgjedhur për të përfaqësuar Shqipërinë në çmimet Oscar. Ky film është fryt i një pune intensive dhe pasionante, ku kemi synuar të eksplorojmë thellësisht psikologjinë e një nëne të fuqishme përballë sfidave të një sistemi te korruptuar. Përzgjedhja për Oscars është një njohje e rëndësishme jo vetëm për ekipin tonë, por për të gjithë kinematografinë shqiptare. Shpresojmë që ‘Pikë Uji’ do të prekë zemrat e një audience globale, duke nxitur reflektim mbi vlerat universale të familjes dhe drejtësisë”, tha në një deklaratë regjisori Robert Budina.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu