TIRANA- Prokuroria e Posaçme ka dhënë pretencën për ish-kryebashkiakun e Lushnjes Fatos Tushe, lidhur me akuzën e ‘mosdeklarimit të pasurisë’. Mësohet se SPAK kërkoi dënimin e Tushes me 1 vit e 5 muaj burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar do të përfitonte zbritjen e dënimit me 1/3.
Kështu, pak muaj pasi mbaroi dënimin me 3 vite e 4 muaj burg për ‘shpërdorim detyre’ dhe ‘shkelje të barazisë në tendera’, ndaj Tushes nisi një tjetër hetim që ka të bëjë me pasurinë, konkretisht për një apartament në bregdet të pa deklaruar.
Më 6 korrik 2021, ai u prangos në një operacion të SPAK bashkë me disa nga vartësit e tij, pasi u akuzua për ‘shpërdorim detyre’. Tenderi që i dogji zyrtarët e bashkisë Lushnje, ishte për rehabilitimin e një kanali ujitës në fshatrat Bishqethëm dhe Bitaj me vlerë 24 milionë lekë.
Tenderi u fitua nga kompania EuroAlb shpk, që garoi me ofertën më të lartë, ndërsa punimet, fitimet dhe punën i bëri kompania e biznesmenit Ibrahim Lami. Në dosjen e SPAK, Lami përshkruhej si lidhje e ngushtë e Tushes dhe familjar i pronarit të EuroAlb shpk, Bujar Murati. Sipas SPAK, Lami dhe Murati i kanë ndarë paratë bashkë.