Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka shprehur keqardhjen e tij për viktimat dhe dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në Bosnje-Hercegovinë. Në një postim në platformën X, ai theksoi:
“Me hidhërim të thellë mësova lajmin për viktimat nga përmbytjet dhe disa dhjetëra të zhdukur në krahinën e Jablanicës dhe disa zona të tjera. I shpreh ngushëllime Presidentit Beqirovic dhe familjarëve për humbjet nga kjo fatkeqësi natyrore. Bashkoj lutjet e mia dhe ato të popullit shqiptar dhe solidarizohemi me qytetarët e dëmtuar rëndë nga kjo katastrofë natyrore.”
Bosnje-Hercegovina është përballur me përmbytje të mëdha si pasojë e reshjeve të intensifikuara, duke shkaktuar bllokime rrugësh dhe ndërprerje të komunikimit në disa zona. Përmbytjet kanë prekur qytetet si Jabllanicë, Kiseljak, Konjic, Fojnica dhe Kreshevë, duke lënë pas dëme të mëdha dhe shumë të prekur.