Pa u bërë 24 orë nga protesta e dhunshme e opozitës, Tiranës i është kthyer normaliteti.
Dyert e kryeministrisë janë zhveshur nga mbulesat metalike vendosur për të mos lejuar protestuesit të futeshin në mjediset e brendshme.
Dëshmi e flakëve të natës së protestës pranë Ministrisë së Brendshme qëndrojnë bimët dekoruese, teksa para Bashkisë së Tiranës, mbetjet e molotovit hedhur në drejtim të saj janë pastruar.
Gjurmë të akteve vandale kryer nga mbështetësit e opozitës të hënën kanë mbetur aty ku protesta u përshkallëzua. Në godinën e Partisë Socialiste është hequr foto e djegur e kryetarit të saj Edi Rama, ndërsa në hyrje janë ende shenjat e flakëve.
Para Parlamentit, rrugë që militantët demokratë përshkuan për të shkuar në selinë e tyre, nuk ka asnjë gjurmë nga protesta. Gjurmët e molotovëve të mbrëmjes së të hënë në Tiranë, paraditen e sotme i lanë vend qetësisë.