TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me përfaqësuesit e bizneseve lidhur me kontributet e tyre për pensionet. Në takim janë të pranishëm edhe disa nga ministrat e kabinetit.
Kreu i qeverisë tha gjatë fjalës së tij se problemi më i madh për rritjen e pensioneve ngelet mosdeklarimi i pagave. Ai u shpreh se kjo gjë është më serioze si problem në bizneset private. Këta të fundit, sipas Ramës, po grabisin pensionet, ndërsa paralajmëroi masa administrative dhe penale për kompanitë nëse nuk do të merren masa nga ata vetë.
“Askush nga ne mos ti shmanget detyrimeve që ka. Ne si qeveri kemi detyrimin që jeta e pensionistëve të jetë sa me e qetë. Ata që krijojnë punë kanë detyrimin që çdo qindarkë të cdo pagese që iu takon pensionistëve, t’ju shkojë pensionistëve. Në sektorin publik ky detyrim është i përmbushur, por nuk ndodh e njëjta gjë në sektorin privat. Kemi një problem të madh, me deklarimin e pagës reale.
Problem që jemi të vendosur ta adresojmë dhe mos presim përmirësimin gradual por të shpejtë. Dëshirojmë dhe besojmë që kompanitë, nuk do të jetë nevoja të vihen nën presionin e masave administrative dhe penale për grabitjen e pensioneve. Është fjalë dhe turp i madh. Është një sjellje me një mungesë përgjegjshmërie, që kur dëgjojnë fjalën grabitje ndihen të fyer, por kjo është grabitje.”, u shpreh Rama.