Rrjetet sociale po kthehen me të vërtetë në një rrezik të madh për adoleshentët në vendin tonë.
Pasi shpesh janë bërë shkaktare të konflikteve, që kanë përfunduar edhe tragjikisht, rrezik përbëjnë dhe sfidat që bëhen virale në këto platforma, të cilat i ndjekin dhe adoleshentët në Shqipëri.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, në Vlorë, ku një grup fëmijësh të moshës 12-13 vjeçare kanë bllokuar një segment të rëndësishëm rrugor në Lungomare.
Ata janë parë duke realizuar lojëra të rrezikshme të frymëzuara nga platformat sociale si TikTok, duke shkaktuar shqetësim për drejtuesit e automjeteve.
Siç shihet nga pamjet e siguruara nga korrespondenti i Top Channel, Mikel Marsi, fëmijët kanë dalë para makinave duke bërë video.
Rrjetet sociale e kryesisht TikTok është kthyer kohët e fundit një shqetësim në vendin tonë, teksa videot që shfaqen në të, mbizotërohen nga dhuna dhe fjalori denigrues, ku përdorues në një numër të konsiderueshëm janë edhe të mitur.