Njihuni me TUNELIN e vetëm nëndetar në botë me rrethrrotullim!

0

Në Ishujt Faroe, moti i egër dhe i paparashikueshëm, erëra të forta dhe shi, si dhe mjegulla e dendur që mbulon gjithçka si një perde shpesh e bën të vështirë udhëtimin me makinë ose traget. Prandaj, nuk është çudi që banorët vendas i duan tunelet e tyre. Ata kanë ndërtuar 17 të tillë në tokë dhe katër nën det duke përfshirë edhe tunelin e vetëm nëndetar në botë me një rrethrrotullim që është nën ujë. Ky rrjet bën më të lehtë lundrimin në këtë komb të vetëqeverisur brenda Mbretërisë së Danimarkës.  “Edhe pse jemi 18 ishuj, shpesh bëjmë shaka se (falë tuneleve) sfidojmë faktin që jemi ishuj,” thotë Súsanna Sørensen, menaxhere marketingu në “Visit Faroe Islands”.

Të vendosura në Atlantikun e Veriut, në mes të Islandës dhe Skocisë, këto ishuj vullkanikë me peizazhe të paprekura mahnitin vizitorët. Dy tunelet më të fundit nëndetarë janë gjithashtu deklarata të forta inxhinierike dhe artistike. “Këto janë Kulla Eiffel ose Big Ben-i ynë,” thotë Teitur Samuelsen, CEO i “Eystur-og Sandoyartunlar”, kompania që menaxhon tunelet, “me njerëz, veçanërisht turistë, që i përshkojnë thjesht për të parë artin.” Çdo ditë, më shumë se 6000 automjete kalojnë nëpër tunelin nëndetar afro 11 kilometra të gjatë që lidh Streymoy-n, ishullin më të madh të Ishujve Faroe dhe shtëpinë e Tórshavn-it (një nga kryeqytetet më të vogla në botë), me Eysturoy-n, ishullin e dytë më të madh të arkipelagut.

Përveç peizazheve të tij natyrore mahnitëse, Eysturoy është shtëpia e Festivalit G!, një ngjarje muzikore lokale dhe ndërkombëtare e jashtëzakonshme që zhvillohet çdo korrik në fshatin bregdetar Syðrugøta. Ndërtimi i Tunelit Eysturoy zgjati rreth katër vjet dhe u hap në dhjetor 2020. Këto tunele nëndetare krijohen duke përdorur metodën e shpimit dhe shpërthimit: hapen vrima në bazalt — një gur i fortë vullkanik dhe pastaj ato mbushen me dinamit.

Në pikën më të ulët, tuneli ndodhet rreth 187 metra nën nivelin e detit. Megjithëse të kesh Atlantikun Verior mbi kokë mund të shkaktojë ankth, Samuelsen siguron se ndërtimi i tij është shumë i sigurt. “Tunelet janë projektuar nga inxhinierët dhe gjeologët më të mirë në botë, prandaj siguria me Atlantikun sipër nuk është problem,” thotë ai. Kalimi në këtë tunel është magjik, me pikën kulmore një rrethrrotullim skulpturor me drita që ndryshojnë ngjyrë, aq tërheqëse sa disa e krahasojnë me dritat polare ose me kandilat që shkëlqejnë në diell. Rrethrrotullimi i quajtur “kandili” është sigurisht një atraksion turistik, thotë Sørensen. Shumë njerëz bëjnë disa xhiro rreth tij për të shijuar skenën mahnitëse.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu