“Po linçohet një udhëheqës i PS”, Rama për hetimin e Veliajt: Nuk mund të marr qëndrime për një çorbë derrash

0

TIRANË- Kryeministri Edi Rama është pyetur ditën e sotme në konferencë lidhur me procesin hetimor të SPAK për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

Rama tha se Veliaj është dënuar në gjykatën e politikës dhe atyre mediave që sipas tij janë të angazhuara për të bërë gjyqësi alternative. Kreu i qeverisë tha se po linçohet një kryebashkiak i zgjedhur për tre mandate rresht, në një kohë që sipas tij nuk është shpallur ndonjë akuzë publike me gjithë argumentet përkatës.

Ndërkohë i pyetur se kush ishte përgjegjës për listën e kandidatëve të deputetëve në qarkun e Durrësit në vitin 2021, Rama nuk pranoi të jepte koment.

“Erion Veliaj është hetuar dhe dënuar në gjykatën e politikës dhe atyre mediave që janë të angazhuara për të bërë gjyqësi alternative. Gjyqësi alternative do të thotë me mjetet e politikës dhe komunikimit mediatik të vendosë një kolektiv i caktuar njerëzish se kur bëhet fjalë për SPAK-un si organizatë kriminale kur bëhet fjalë për SPAK si Prokuror. Në kushtet kur Gjykatë dhe Prokurori alternative është aktivizuar kaq shumë për të linçuar një udhëheqës të PS, kryetarin e Bashkisë së Tiranës i votuar nga populli për tre mandate rresht, protagonistin e transformimit të qytetit me mbështetjen e PS dhe qeverisë, jemi në kushtet kur ka shumë për të menduar dhe shumë për të reflektuar.

Ndërkohë që nuk jemi në kushtet kur është shpallur ndonjë akuzë publike me gjithë argumentet përkatës. Jemi në kushtet kur ka fjalë, thashetheme, SMS, një SMS pa emër në kuptimin që nuk kuptohet kujt i është ngritur, një amulli shumë të ngjashme me një çorbë derrash që nuk mund të jetë arsye për të marrë qëndrime ne sot. Do të shohim evoluimin dhe në kohën e duhur do të mbajmë qëndrimet tona.

Sa i përket tjetrës. Unë nuk i përgjigjem pyetjeve që burojnë nga llumi që rrjedh nëpër ato ulluqet e sistemeve telefonike të kriminelëve. As i afrohem. Dikush më çonte një mesazh për një analist të krimit që më paske nxjerrë një foto të një njeriu në kërkim, ndërkohë që nga ç’kam parë në këto vite dhe ç’kam dëgjuar e kuptuar, ka të tjerë që janë ehuu ku e ku në raport me atë person. Që të dalin në Parlament dhe në media e bëjnë namin e pastaj çojnë mesazhe se kështu e ka politika…”, tha Rama.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu