Disa qytete të vendit si Durrësi, Vlora, Saranda, Lushnja, Fieri dhe Berati janë përballur pasditen e sotme me ndërprerje të energjisë elektrike. Shkak i këtij kolapsi u bë një defekt në linjën e transmetimit 220kV Tirana 2 – Rrazhbull.
Operatori i Sistemit të Transmetimit bëri me dije se sot në orën 17:37, si pasojë e defektit u ndërpre energjia në të gjitha nënstacionet e Rajonit Durrës, Lushnje, Fier, Vlorë, Kuçovë, Berat.
Pas rreth 30 minutash, u bë e mundur rikthimi i energjisë në nënstacionet e rajoneve të mësipërme, ku u vendosën në punë vetëm fidrat e rëndësisë së veçantë, spitalet dhe kopshtet e qytetit, duke lënë me kufizime të thella pjesën tjetër të popullatës.
Në orën 17:52, energjia u ndërpre përkohësisht dhe në Rajonin e Sarandës, e cila u rikthye përsëri në punë me kufizime. Aktualisht, me kërkesë të OST-së për shkak të ngarkesës, po kryhet një rivendosje graduale e ngarkesës në rajonet e mësipërme, e cila po realizohet nga Dispeceria Qendrore TL, në bashkëpunim me Dispeceritë Rajonale të Durrësit, Beratit, Fierit, Gjirokastrës, Vlorës, në varësi të udhëzimeve dhe hapësirave deri në rivendosjen e skemës normale të furnizimit.