“Shkrumbohet” lokali pranë stadiumit Air Albania

0

Një lokal është përfshirë nga flakët mbrëmjen e së hënës në rrugën “Faik Konica”, pranë stadiumit “Air Albania”. Përmasat e mëdha të zjarrit kanë shkaktuar panik tek banorët e një pallati ngjitur, të cilët janë detyruar të evakuohen për arsye sigurie.

Në vendngjarje kanë ndërhyrë 4 makina zjarrfikëse, të cilat kanë punuar intensivisht për neutralizimin e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së zjarrit në ndërtesat përreth.

Ende nuk dihen shkaqet e zjarrit, ndërsa autoritetet janë duke kryer hetimet për të zbuluar shkaqet e mundshme. Fatmirësisht, deri më tani nuk raportohet për të lënduar, por dëmet materiale pritet të jenë të konsiderueshme.

Ngjarja ka tërhequr vëmendjen e banorëve të zonës dhe kalimtarëve, ndërsa autoritetet apelojnë për kujdes dhe shmangien e qëndrimit pranë vendngjarjes derisa situata të jetë plotësisht e sigurt.