Personi që shihni në është 30-vjeçari Kristian Marku, i cili mbeti viktimë e plumbave të lëshuar drejt mjetit të tij, teksa udhëtonte në aksin Fier-Vlorë.
Dyshohet se ai u qëllua nga tre persona, pasi autorët i kanë zënë pritë. Në momentin që 30-vjeçari ka kaluar mbi nënkalimin e Novoselës, atentatorët, që dyshohet se mund të kenë qenë tre persona, kanë dalë nga nënkalimi dhe i janë afruar makinës tip “Volkswagen Passat” me të cilën udhëtonte i riu. Pasi janë afruar në krahun e djathtë, kanë qëlluar në drejtim të tij më shumë se 13 herë me armë pistoletë ose automatik të vogël, tip sharsh.
Në trupin e 30-vjeçarit janë gjetur tre plumba, ndërsa në momentin që është qëlluar, makina e tij ka ikur për inerci rreth 400 metra, duke u përplasur disa herë me trafikndarësen deri sa ka ndalur. Jo më shumë se 1 km nga vendngjarja është njoftuar se po digjej një makinë, e cila dyshohet se ka qenë e autorëve të krimit.
Policia ka marrë kamerat e sigurisë të një karburanti aty pranë, por edhe përgjatë autostradës Fier-Vlorë, ndërkohë që është ushtruar kontroll në çdo makinë që hynte në Vlorë, por edhe në fshatrat Novoselë dhe Panaja. Po ashtu, janë marrë në pyetje të afërm të 30-vjeçarit në Rrëshen, si dhe një person i dyshuar. Nuk dihet ende pse 30-vjeçari Kristjan Marku po shkonte në Vlorë, por policia po vijon hetimet.