Projekti 1.4 miliardë euro i Jared Kushner, Qeveria i jep statusin e investitorit strategjik kompanisë që do ndërtojë resortin luksoz në ishullin e Sazanit

0

TIRANA- Qeveria i ka dhënë statusin e investitorit strategjik kompanisë amerikane “Atlantic Incubation Partners LLC” që do të ndërtojë resortin luksoz në ishullin e Savanit, projekt i Jared Kushner, dhëndrit të presidentit të zgjedhur në SHBA, Donald Trump. Komiteti i Investimeve Strategjike ka vlerësuar se projekti i kompanisë amerikane “Atlantic Incubation Partners LLC” është në përputhje me kriteret ligjore sa i takon zhvillimit të zonave me përparësi.

Sipas dokumentit vlera e investimit të projektit turistik “Resorti turistik-Ishulli i Sazanit” i plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë 1.4 miliardë euro. Po ashtu thuhet se projekti i investimit i plotëson kriteret e punësimit të kërkuara nga legjislacioni për investimet strategjike. Mësohet se përgjatë fazës së realizimit të investimit dhe operimit, numri i personave të punësuar parashikohet të jetë 1 mijë.

Projekti i investimit synohet të zhvillohet në ishullin e Sazanit, Bashkia Vlorë, i cili ka një sipërfaqe totale prej 562 ha dhe me një sipërfaqe ndërtimi prej 45 ha. Plani i Jared Kushner për investimin në SHqipëri u bë publik vitin e shkuar nga kryeministri Edi Rama.

Sipas një artikulli të botuar në muajin mars 2024 nga Bloomberg News, u tha se kompania e investimeve e Kushner planifikon të transformojë ishullin e Sazanit, i përdorur vetëm si një baze ushtarake, në një eko-resort luksoz të markës Aman. Ai tha për Bloomberg-un, se “ishulli i Sazanit është një nga vijat bregdetare më të pacënuara dhe unike që ka parë parë kudo në botë”.

Kompania e tij Affinity kërkon gjithashtu të zhvillojë zonën e Zvërnecit, pranë Vlorës, duke planifikuar ndërtimin e disa resorteve me afro 10 mijë dhoma hotelesh dhe vila. Për Bloomberg-un, Kushner ka shpjeguar se duke hulumtuar me miqtë e tij Richard Grenell, i cili shërbeu si ambasador i SHBA në Gjermani gjatë administratës Trump, dhe Asher Abehsera, partner i tij biznesi, ai u tërhoq nga një nga zonat turistike me rritje të shpejtë.