TIRANA- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha tha sot se me ardhjen në pushtet PD do të ofrojë bonus për dy fëmijët e parë, për fëmijën e tretë shteti do të paguajë shpenzimet deri në moshën 23-vjeçare. Berisha tha se mbështetja e çifteve dhe familjeve të reja, do të jetë një detyrim ligjor për qeverinë e ardhshme. Ai shtoi se ky detyrim ligjor do të përfshijë kushtet të favorshme për strehimin e tyre.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Mbështetja e çifteve dhe familjeve të reja, do të jetë një detyrim ligjor për qeverinë e ardhshme. Ky detyrim ligjor do të përfshijë kushtet të favorshme për strehimin e tyre, qeveria për t’i dhënë një përgjigje serioze strehimit dhe një betejë kundër çmimeve stratosferike të narkoeuros në kullat që ndërtohen, do të ndërmarrë ndërtimin e banesave sociale, të cilat do të zbresin çmimin e ndërtimit në vlerat e përafërta me koston dhe fitimin e parashikuar.
Përveç kësaj qeveria do të bëjë çdo gjë për punësimin e të rinjve. Ju e shprehi drejt se mbështetja për fëmijët është një kusht shumë i rëndësishëm për një familje të re, që të mund të përballojë jetën. Padiskutim që do të vendoset bonus për çdo fëmijë dhe për fëmijën e tretë qeveria do të marrë përsipër shpenzimet e tij, nga lindja gjer në moshën 23 vjeçare. Për dy fëmijë do të ketë bonus që do të përcaktohet shpejt se sa do të jetë, kurse për fëmijën e tretë shpenzimet e plota do i marrë përsipër shteti.