BERAT- Një 32-vjeçar është vënë në pranga ditën e sotme në Berat. Mësohet se arrestimi i tij ka ardhur pasi ai shfrytëzonte për prostitucion një 36-vjeçare.
Policia bën me dije se është ndaluar edhe 36-vjeçarja për veprën penale “Prostitucion”. 32-vjeçari akuzohet se ka shfrytëzuar për prostitucion në Berat dhe në Lushnjë 36-vjeçaren. I arrestuari akuzohet për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”.
Njoftimi:
DVP Berat/Finalizohet operacioni policor i koduar “Precedenti”. Në kuadër të operacionit “Precedenti”, si dhe në zbatim të masës së sigurisë “Arrest në burg”, të caktuar nga Gjykata e Beratit, përkatësisht për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit “ dhe “Prostitucioni”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi A. K., 32 vjeç, banues në Berat, gjithashtu në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Memaliaj u kap dhe ndalua shtetasja A. H., 36-vjeçe, banuese në Memaliaj, Tepelenë, për veprën penale “Prostitucioni”.
32-vjeçari akuzohet se ka shfrytëzuar për prostitucion në Berat dhe në Lushnjë, shtetasen A. H. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.