Për herë të parë në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri do të votojë edhe diaspora. Në këtë kuadër kampet politike e kanë përqendruar vëmendjen te takimet jashtë Shqipërisë, duke i bërë thirrje shqiptarëve t’i besojnë qeverisjen e vendit.
Me vëmendje zhvillimet e diasporës po ndiqen edhe nga ambasadorët. Diplomati spanjoll Alvaro Renedo Zalba tha se e sheh shumë të rëndësishme votën e diasporës.
“Unë e shoh shumë të rëndësishme votën e diasporës në zgjedhjet parlamentare. Qytetarët që jetojnë jashtë vendit, jashtë Shqipërisë duhet tu jepet mundësia të votojnë siç janë edhe shqiptarët që janë në Spanjë apo në vendet e tjera”, tha ambasadori nga Elbasani.
Prej datës 11 janar deri më tani në aplikacionin zyrtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë regjistruar rreth 270 qytetarë shqiptarë që jetojnë në Spanjë.
Të gjithë që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e pranverës kanë afat për tu regjistruar në faqen online të KQZ-së deri me 4 mars.