ZVICËR- Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka bërë publike një kërcënim që i është bërë punonjësve të administratës në vend. Gjatë intervistës për emisionin “Çim Peka Live” në Syri Tv, Ahmetaj ka theksuar se një punonjës i administratës është kërcënuar me vendin e punës, nëse motra dhe kunati i tij nuk shkon në takimin e Ramës me diasporën në Itali. Më tej Ahmetaj ka bërë një pyetje, nëse SPAK-u ka çuar deri në fund një denoncim për krim elektoral.
“Çfarë përfaqëson? Le t’i kthehem qytetarëve shqiptarë. Socialistëve, o miqtë e mi, diku më keni dash, diku më keni kritikuar, diku më keni urryer, emocione njerëzore. Për Gys Agazin keni votuar ju? Për Pirro Vëngun? S’ka gjë me Pirro Vëngun si krijesë, s’ka lidhje, sistemi i patronazhimit politik që duhet ta bëjë çdo parti, në atë vend është kthyer në sistemin e patronazhimit të bukës. Kërcënojnë punonjësit e administratës, në një rast shumë interesant, shumë interesant, është, nja dy miqtë e mi në Itali që erdhën na zëvendësuan thanë, na kërcënuan, kanë kërcënuar motrën time, tha, që motra dhe kunati të dalin në Milano për takim me kreun e organizatës. Nuk është kjo Partia Socialiste. E keni parë që hanë kokat e njëri-tjetrit? Unë s’jam më. Unë po e them sot, Encro Chat ka vërtetuar rënien e katër qarqeve elektorale të Partisë Socialiste. Dhe këtë shkojnë dhe merren me Bardh Spahinë, se babanë e tij ia kam njohur kur punoja te FMN dhe tek Instituti Demokratik Republikan. Ia kam njohur babain, burrë i nderuar, ndjesë pastë. Këta merren me Bardh Spahinë, këta dalin flasin për…ore një krim elektoral, a kanë çuar këta deri në fund një krim elektoral? Janë marrë me kryetarin e bashkisë së Rrogozhinës… një krim elektoral mo, SPAK-u, a po shkojmë në zgjedhje, a duhet të ketë zënë mend X – Y dhe Z-ta?,” tha Ahmetaj.