Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është arrestuar me vendim të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Sipas burimeve zyrtare, GJKKO ka firmosur gjithsej pesë masa sigurie, përfshirë tre me “detyrim paraqitjeje”, një “arrest shtëpie” për bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxa, dhe “arrest me burg” për vetë kryebashkiakun.
Pas arrestimit, Veliaj ka reaguar përmes një mesazhi drejtuar qytetarëve, ku shprehet:
“Të dashur miq,
Natën e parë në qeli, i marrë forcërisht larg familjes dhe me idenë që sot në mëngjes im bir nuk do të shkonte në shkollë as me mua, as me të ëmën, e kam kaluar pa gjumë në sy.
I vetmi ngushëllim ishte që nuk mund të shihja dhe as dëgjoja qenërinë, që me siguri më është vërsulur mbrëmë në studiot e kafshimeve dhe jargëve televizive.
Ndjesë për çfarë ju kanë dëgjuar veshët dje deri vonë dhe sot që në sabah në ato kanale gjirizi. Por, dua të jini të sigurt se historia që po më tregon mua si një kriminel të korruptuar, i cili ka fshehur pasuri dhe pastruar para bashkë me të shoqen, është e sajuar nga një individ pervers, prokurori i çështjes tonë.
Ai, për shembull, ka shkruar në akt-akuzën haluçinante se ime shoqe ka harxhuar mbi gjysëm milionë euro për blerje online fustanësh dhe bizhuterish. Ky pervers, që më pyeste mua për fustanet e gruas dhe më tregonte gjatë marrjes në pyetje se si shkonte kontrollonte gruan e tij në punë, nuk ka dashur t’ia dijë për shpjegimet e mia dhe të sime shoqeje. Blerjet online janë të gjitha të deklaruara dhe në një shumë disa herë më të vogël, janë bërë për shfaqjet artistike të fondacionit kulturor të sime shoqeje. Faturimi i asaj shume në një akt-akuzë, si një lumë parash i derdhur për luks, është një perversitet kriminal.
Kur i thosha se kjo ishte e vërteta dhe kur në fakt, në shtëpinë tonë nuk ka gjetur as fustane mijëra eurosh, as bizhuteri me ndonjë vlerë të veçantë, ai zvarranik si i dalë nga qenefët e dikurshëm të Sigurimit të Shtetit zgërdhihej dhe më tregonte se si i binte violinës kur ishte i vogël.
A ju duket rastësi që në të gjithë historinë e gojës së kërmës Sali, ky violinist i mbetur në tentativë është i vetmi individ që pasi e ka akuzuar si kriminel një ditë më parë, Saliu i ka kërkuar falje të nesërmen? Mua jo, se që të të kërkojë falje Saliu, do duhet realisht t’i bësh një shërbim të pamundur. Po kjo s’është akuzë, është vetëm një opinion.
Kalofshi mirë sot miq dhe kujt më beson i jam falenderues, kujt s’më beson i jam mirëkuptues.”
Hetimi ndaj Veliajt nisi mbi bazën e një kallëzimi të bërë nga një qytetar anonim, Nesti Angoni, i cili u dërgua me postë në SPAK. Fillimisht, Veliaj nuk ishte regjistruar si person nën hetim, por në dhjetor 2024 ai dëshmoi para agjentëve të BKH-së në lidhje me një çështje të korrupsionit pasiv. Hetimet përfshinë edhe kontrolle mbi pasurinë e tij dhe të familjarëve.
Më 6 dhjetor 2024, SPAK sekuestroi telefonin e Ajola Xoxës, ndërsa me vendim të GJKKO-së u kryen kontrolle në studion artistike “Harabel” në ish-Bllok, ku u sekuestruan dokumente të rëndësishme për hetimin e pasurisë së Veliajt.
Pas arrestimit të Veliajt, kryeministri Edi Rama anuloi të gjitha takimet e planifikuara për ditën në Shkodër. Ende nuk ka një reagim zyrtar nga ana e qeverisë ose Partisë Socialiste në lidhje me arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës.
Hetimet po vijojnë dhe priten zhvillime të mëtejshme në ditët në vijim.