LAÇ – Një tjetër pistë hetimi ka dalë nga ngjarja në Laç ku u vra me armë zjarri 67-vjeçari Dod Mamli. Pak më herët u raportua se ngjarja ka ndodhur për një konflikt pronësie, ndërkohë që një tjetër pistë hetimi është marrë në shqyrtim nga autoritetet.
Ngjarja mund të ketë ndodhur edhe për motive hakmarrje, pasi djali i viktimës, Enrik (Elton) Mamli, në vitin 2015 ka vrarë Naim Tafën në Mamurras.
Vrasja e Naim Tafës
Vrasja e Naim Tafës ndodhur në Shtator të vitit 2015, në qendër të Mamurrasit. Sipas njoftimit të prokurorisë asokohe, kushërinjtë Gazmir, Taulant dhe Naim Tafa janë përplasur me armë me vëllezërit Elton (Enrik) dhe Tom Mamli.
Konflikti ndërmjet familjeve Tafa dhe Mamli ka filluar kohë më parë në Suedi, ku janë përplasur fizikisht për motive të dobëta kushëriri i të pandehurve Tafa, Edmond Tafa me vëllezërit Mamli. Ky konflikt ka vijuar edhe në Shqipëri. Rreth një muaj para ngjarjes, i dëmtuari në Suedi, Edmond Tafa dhe i pandehuri Gazmir Tafa kanë rrahur në Mamurras Elton Mamlin. Pas kësaj ngjarjeje, vëllezërit Mamli kanë debatuar edhe me kushëririn e tyre, Dorjan Mamli, për faktin se ky i fundit shoqërohej me Tafajt, të cilët ishin “kundërshtarët e tyre”.
Por, pavarësisht presionit, Dorjan Mamli nuk ka pranuar të shkëpusë marrëdhëniet me Tafat dhe për këtë arsye, ditën e ngjarjes, më 23 Shtator 2015, vëllezërit Elton dhe Tom Mamli kanë rrahur kushëririn e tyre, Dorjan Mamlin. Pas këtij episodi, vëllezërit Mamli janë larguar me mjetin e tyre Range Rover. Ndërsa Dorjan Mamli është takuar me kushërinjtë Tafa, të cilëve u ka treguar për ngjarjen. Këta të fundit (Tafat) kanë dalë me mjetin e tyre, tip “Benz”, në kërkim të vëllezërve Mamli.
Të dy palët janë përballur me njëri-tjetrin pranë stacionit të Trenit dhe fillimisht kanë përplasur mjetet e tyre në mënyrë të drejtëpërdrejtë. Pas përplasjes, të dy palët, të armatosur, kanë dalë nga mjetet dhe kanë qëlluar kundër njëri-tjetrit. Konflikti i armatosur ka ndodhur në një moment, kur ambjenti përreth ka qenë i populluar me shumë njerëz. Nga goditjet me armë, ka mbetur i vdekur në vend shtetasi Naim Tafa, i cili gjendej nën shoqërinë e kushërinjve Tafa. Nga ekspertiza, rezulton se ai është vrarë nga arma e përdorur nga Tom Mamli. Po ashtu, nga goditjet me armë, kanë mbetur të plagosur edhe shtetasit Idriz Tafa dhe Altin Çoku, të cilët gjendeshin rastësisht në vendin e ngjarjes.