Tymi i zi te Bashkia e Tiranës/ Berisha: Lali Vjedhësi po djeg prova dhe dokumenta!

0

TIRANË – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar në lidhje me tymin e zi që po dilte nga tarraca e godinës së Bashkisë së Tiranës mëngjesin e sotëm. Në një postim në rrjete sociale Berisha shkruan se Lali Vjedhësi po djeg prova dhe dokumenta, krahas videos së tymit që del nga Bashkia.

Ky reagimi i Berishës vjen në një kohë kur kryetari i kësaj Bashkie, Erion Veliaj ndodhet në burg nën akuzën për korrupsion, pastrim parash dhe abuzim me fondet publike. Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit, pas vlerësimit të masës së sigurisë nga GJJKO e cila la të pandryshuar masën “arrest me burg”.

Postimi i Berishës:

Lali Vjedhësi po djeg prova dhe dokumenta! sb

Në bashkinë e Tiranës prej rreth dy javësh situata është trazuar për shkak të arrestimit të kryetarit Erion Veliaj. Ky i fundit u arrestua në zyrën e tij në Bashki më 10 shkurt si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa është lënë në masë sigurimi “detyrim paraqitje”.

Sipas SPAK nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, në mënyrë të përmbledhur rezulton se, nga personat nën hetim, specifikisht Veliaj edhe bashkëshortja e tij është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme.

Drejtimi i bashkisë i është deleguar nënkryetares Anuela Ristani, ndërsa kryeministri Edi Rama në disa dalje të tij ka deklaruar se do të merret edhe vetë me punët e bashkisë.