Identifikohet viktima dhe autori, policia: 24-vjeçarja palestineze u vra nga bashkëshorti 49-vjeçar

0

Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja në Tiranë, ku u gjet e pajetë brenda një apartamenti, në rrugën “Gjon Muzaka”, shtetasja 24-vjeçe Rayyan Alwan.

Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të vrasjes, shtetasin 49-vjeç Fadi Alwan.

“Rreth orës 12:55, shërbimet e Policisë u njoftuan për gjetjen e një shtetaseje pa shenja jete në një apartament me qira, në rrugën “Gjon Muzaka”. Gjatë fazës së parë të hetimeve, u konstatua se viktima kishte plagë të shumta të shkaktuara me mjet prerës, që dyshohet të kenë qenë shkak për humbjen e jetës”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në vijim të veprimeve, Policia bëri të mundur edhe identifikimin e viktimës, shtetases 24 vjeçe, e cila, së bashku me bashkëshortin e saj, shtetasin 49 vjeç, rezultojnë të jenë shtetas palestinezë dhe kishin marrë me qira apartamentin ku ndodhi ngjarja.

Nga të dhënat e deritanishme hetimore, dyshohet se autori i ngjarjes është larguar menjëherë jashtë territorit të Shqipërisë, pas kryerjes së krimit, i cili dyshohet të ketë ndodhur disa ditë më parë.

Grupi hetimor po vijon punën për përcaktimin e saktë të kohës së ngjarjes, nëpërmjet ekspertizës mjekoligjore dhe analizimit të provave të sekuestruara.

Vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.