Tiranë, 4 mars 2025 – Një tjetër rast i gripit të shpendëve është konfirmuar në Shqipëri. Ministria e Bujqësisë njoftoi se, pas testimeve, është zbuluar prania e virusit në një fermë pulash në fshatin Maliq Muço, në Durrës.
Për të parandaluar përhapjen e virusit, Ministria e Bujqësisë ka marrë masa të menjëhershme duke vendosur në karantinë fermën e pulave dhe duke ndaluar tregtimin e vezëve dhe mishit nga kjo fermë. Gjithashtu, janë raportuar raste të ngordhjes së shpendëve në këtë fermë, çka ka shtuar shqetësimin për përhapjen e gripit të shpendëve në zonë.
Ministria ka theksuar se po monitoron situatën dhe po merr masa për të mbrojtur shëndetin e publikut dhe të tregut të ushqimit, duke bërë thirrje për bashkëpunim nga ana e fermerëve dhe autoriteteve për të parandaluar përhapjen e sëmundjes.
Ky është rasti i dytë i gripit të shpendëve që konfirmohet në Shqipëri, pas një tjetër rast në një fermë në jug të vendit, ku gjithashtu u ndërmorën masa të ngjashme.