Demografia e votuesve nga diaspora/ Italia dhe Greqia dominojnë në rang shtetesh. Tirana dhe Fieri në rang qarqesh. Për kë do votojnë emigrantët?

0

TIRANË- Afati i regjistrimit të diasporës për të votuar në zgjedhjet e 11 majit ka përfunduar 2 ditë më parë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Gjithsej kanë aplikuar për tu regjistruar 365,166 emigrantë nga çdo shtet i botës ku ka shqiptarë, por deri më tani KQZ-ja ka miratuar 241,633 emigrantë.

Pjesa tjetër e emigrantëve që nuk janë miratuar janë 6,300, të cilat po shqyrtohen ende nga KQZ-ja. Ndërsa 117,182 kërkesa nga emigrantët janë të refuzuara për tu miratuar nga Komisioni Zgjedhor.

Por nga cilat janë shtetet që janë regjistruar më shumë emigrantë?

Vendin e parë me më shumë emigrantë të regjistruar për të marrë pjesë në këto zgjedhje është Italia me 89,940 kërkesa të miratuara ose 37.2%.

Në vend të dytë për nga numëri i regjistrimeve e mban vendi fqinj, Greqia me 66,402 kërkesa të miratuara ose 27.5%. Vendin e tretë e mban Gjermania me 25,225 kërkesa të miratuara gjithsej ose 10.4% të numërit total të kërkesave. Ndërkohë që në vend të katërt është SHBA-ja me 20,486 kërkesa ose 8.5%.

Vendi i pestë më më shumë kërkesa nga emigrantët për të votuar është Britania e Madhe me 17,023 të tilla ose ndryshe 7.0%. Me 5,246 kërkesa gjithsej ose 2.2% është Franca, ndërsa me 3,552 (1.5%) kërkesa të miratuara është Kanadaja.

Ndërkohë që tre vendet e fundit që plotësojnë top 10-shën me më shumë regjistrime janë Beligjika me 2,734 (1.1%) kërkesa, Suedia me 2,278 (0.9%) kërkesa të miratuara dhe Zvicra me 1,244 kërkesa nga emigrantët për të votuar ose 0.5%.

Duke u bazuar dhe në shifrat e mësipërme të nxjerra nga Dosja.al, shihet që lufta për votën e diasporës do të bëhet në 5 vendet me më shumë kërkesa që janë Italia, Greqia, Gjermania, SHBA-ja dhe Britania e Madhe. Por bazuar dhe në fushatat elektorale që janë bërë deri më tani dhe takimet e liderëve të dy partive kryesore në vend me emigrantët, Partia Socialiste mbizotëron më shumë më Itali dhe Greqi. Ndërkohë që Partia Demokratike mbizotëron në tre vendet e tjera që janë Gjermania, SHBA-ja dhe Anglia. Dosja.al

Në vëzhgimin e bërë shihet që qarku i Tiranës ka pasur më shumë kërkesa për regjistrim nga ana e emigrantëve. Në kryeqytet, ka pasur gjithsej 51,563 kërkesa të miratuara ose 21.3% të shumës totale. Ndërsa vendin e dytë për nga qarqet në vend e merr Fieri me 31,950 kërkesa të miratuara gjithsej ose 13.2%.

Dy qarqet e tjerë me më shumë kërkesa janë Elbasani përkatësisht me 24,704 kërkesa të miratuara gjithsej ose 10.2% dhe Durrësi me 24,672 kërkesa ose 10.2%. Në vend të pestë për nga qarqet është Korça me 20,275 kërkesa ose 8.4%, ndërsa në vend të gjashtë është Vlora me 19,496 kërkesa ose 8.1%.

Me 17,148 kërkesa gjithsej ose 7.1% është Shkodra në vend të shtatë, ndërkohë që Berati në vend të tetë me 15,708 kërkesa ose 6.5%. Në katër qarqet e fundit në vend me më shumë kërkesa të miratuara për të marrë pjesë në zgjedhjet e 11 majit janë Lezha me 14,458 kërkesa ose 6.0%, Dibra me 9,435 kërkesa gjithsej ose 3.9%. Ndërsa dy qarqet e fundit janë Gjirokastra me 8,315 kërkesa të miratuara ose 3.4% dhe Kukësi me 3,909 kërkesa ose 1.6%.

Bazuar në të dhënat e mësipërme, shihet që qarqet me preferenca të majta, kanë më shumë kërkesa të miratuara për të marrë pjesë në zgjedhje, siç janë Fieri, apo Elbasani. Ndërkohë që lufta e vërtetë mes palëve bëhet për të fituar kryeqytetin.

Pritet që votat e marra nga zgjedhësit emigrantë të kenë një ndikim tmerrësisht të madh në këto zgjedhje. Sipas të dhënave votat e emigrantëve mund të ndikojnë në 19-20 mandate të Kuvendit të ri në të 12 Qarqet e vendit.