Lulzim Basha uron shqiptarët nga Elbasani për Ditën e Verës: “Një stinë e re shprese dhe ndryshimi”

0

Elbasani, qyteti që çdo vit shndërrohet në epiqendrën e festimeve të Ditës së Verës, ka mirëpritur këtë vit edhe Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, i cili ka uruar gjithë shqiptarët për këtë festë tradicionale.

Gjatë fjalës së tij, Basha e cilësoi Elbasanin si “kryeqytetin e shqiptarëve” për këtë ditë të shënuar dhe shprehu dëshirën që kjo verë të sjellë shëndet, mbarësi dhe realizimin e aspiratave për të gjithë qytetarët.

“Nga Elbasani, që sot është kryeqyteti i gjithë shqiptarëve, ju uroj Gëzuar Ditën e Verës! Ju uroj një verë të mbarë, me shëndet dhe suksese për ju dhe familjet tuaja. Kjo është një ditë mirësie, një ditë pozitiviteti, që simbolizon shpresën dhe fillimin e një stine të re për të gjithë ne”, tha Basha gjatë fjalës së tij.

Ai nuk nguroi të shprehë edhe lidhjen e tij të veçantë me këtë qytet, ku ka shërbyer për një periudhë të gjatë si përfaqësues politik. “Elbasani është qyteti im i dytë, dhe unë e ndiej si detyrë të theksoj se ky qytet ka dhënë kaq shumë për Shqipërinë dhe kombin tonë”, shtoi ai.

Në fjalën e tij, Basha theksoi rëndësinë e ndryshimeve pozitive në vend dhe rrezatimin e vlerave qytetare nga Elbasani, duke shprehur besimin se “një jetë më e mirë është plotësisht e mundshme në Shqipëri”.

Ndërkohë, në festimet e Ditës së Verës në Elbasan kanë marrë pjesë qytetarë të shumtë, ku përveç atmosferës festive me muzikë dhe aktivitete tradicionale, një vëmendje të veçantë kanë marrë edhe karnavalet e organizuara nga nxënësit e shkollave. Si çdo vit, edhe këtë herë, aroma e ballokumeve dhe gëzimi i kësaj feste kanë mbushur rrugët e qytetit duke e bërë Ditën e Verës një moment të paharrueshëm për të gjithë pjesëmarrësit.