Detaje të reja janë zbardhur nga sulmi me armë ndaj kompanisë “CFO Pharma” të biznesmenit Nadir Çausholli, e cila ndodhet në rrugën dytësore të autostradës “Durrës-Tiranë”.
Raportohet se nga pamjet filmike të kamerave të sigurisë, autorët kanë qëlluar me breshëri plumbash drejt biznesit nga automjeti në lëvizje. Ata kanë qëlluar të paktën 20 plumba në drejtim të fasadës së depos farmaceutike.
Edhe pse ngjarja ka ndodhur në 02:00, policia është njoftuar vetëm 1 orë më parë në lidhje me të shtënat me armë. Ndërkohë në xhamat e ndërtesës shihen shenjat e plumbave. Ndërsa janë sekuestruar kamerat e sigurisë të “CFO Pharma” dhe bizneseve të tjera në zonë me qëllim identifikimin e autorëve.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 08:10, në sallën operative të DVP Tiranë, ka ardhur njoftimi se në rrugën dytësore të autostradës “Durrës – Tiranë”, gjatë natës, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të fasadës së një ndërtese.
Nga të shtënat janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit.