KROACI- Ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anushiç ka reaguar ditën e sotme në lidhje me shqetësimet e Serbisë për memorandumin e nënshkruar dje me Shqipërinë dhe Kosovën për mbrojtjen. Anushiç i është përgjigjur reagimit të Ministrisë së Jashtme të Serbisë, e cila njoftoi se Serbia nuk do ta pranojë në heshtje nënshkrimin e memorandumit të cilin e cilësoi një provokim dhe që ka qëllim izolimin e Serbisë.
Ministri kroat në reagimin e tij shkruan se ka kaluar koha kur Kroacia e pyeste Beogradin se çfarë do të bënte dhe si do të funksiononte. Sipas tij ajo kohë nuk do të ndodhë më kurrë dhe se Kroacia është shtet i pavarur dhe sovran për 35 vjet. Ai shtoi se Shqipëria është aleati i tyre në NATO, kurse Kosova është vend mik. Ministri theksoi se asnjë letër në atë dokument nuk përmend Serbinë, ndonjë agresion apo ndonjë aktivitet që do të rrezikojë këdo, përfshirë Serbinë.
“Kjo është pikërisht ajo që ne do të bëjmë dhe do të punojmë me Shqipërinë dhe Kosovën – për të asgjësuar luftën kibernetike, të cilës Kroacia i është ekspozuar prej pesë apo gjashtë vjetësh tashmë, ashtu si Shqipëria dhe Kosova. Ne do të punojmë së bashku për të parandaluar të gjitha këto kërcënime që po ndodhin në territorin e tre vendeve tona. Ky është thelbi dhe Kroacia sigurisht nuk do të kërkojë nga Beogradi se çfarë do të bëjë”, përfundoi ai.
Memorandumi i nënshkruar dje më 18 mars ka për qëllim, promovimi i bashkëpunimit në ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes dhe industrisë së mbrojtjes, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes edukimit, trajnimit dhe ushtrimeve, kundërveprimi ndaj kërcënimeve hibride dhe forcimi i qëndrueshmërisë strategjike, ofrimi i mbështetjes së plotë për integrimin Euro-Atlantik dhe atë të mbrojtjes rajonale. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu u shpreh se për një kohë të shkurtër kanë arritur të bëjnë shumë gjëra për tre shtetet. Ndërsa ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci ka thënë se synimi i këtij bashkëpunimi nuk është rast kërcënimi për askënd, është mesazh për ata që synojnë të kërcënojnë rajonin.