E pëson keq polici dhe shefi i tij, pasi kryen parakalime të rrezikshme brenda tunelit të rrugës së “Arbrit”

0

Një polic është gjobitur për shkelje të rregullave rrugorë, pasi u filmua duke kryer parakalime të rrezikshme me makinën e punës, ditën e djeshme në tunelin e rrugës së “Arbrit”.

Policia thotë se inspektori me inicialet D.D është gjobitur me 40 mijë lekë të reja si dhe i janë ulur 15 pikë nga leja e drejtimit.

Gjithashtu ndaj tij dhe shefit të komisariatit të Bulqizës ka nisur një hetim disiplinor.

Njoftimi i policisë:

Në lidhje me një tjetër video të postuar ditën e djeshme në rrjetin social “JOQ Albania”, ku shfaqet një automjet policie duke kryer parakalim brenda në një nga tunelet e rrugës së Arbrit, pas verifikimit të kamerave është bërë i mundur identifikimi i targës së automjetit të Policisë që i përket Komisariatit të Policisë Bulqizë, me drejtues punonjësin e Policisë, Inspektor D.D

Për shkeljen e kryer, Policia Rrugore e Dibrës i ka vendosur masën administrative me vlerë 40.000 lekë të rinj dhe drejtuesit të automjetit i janë zbritur 15 pikë nga Leja e Drejtimit.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale nisur nga shkelja e kryer e cila ka impakt negativ te qytetarët dhe shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor rrezikon jetën e përdoruesve të rrugës, në zbatim të Nenit 121, Ligjit 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, ndaj drejtuesit të automjetit inspektor D.D dhe Shefit të Komisariatit të Policisë Bulqizë Kryekomisar E.P, ka nisur hetimin disiplinor, për shkelje të rëndë; “Kryerja e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi” dhe “Keqpërdorimi i atributeve/ kompetencave të policisë”,

Policia e Shtetit falënderon mediat dhe qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata të denoncojnë çdo rast të abuzimit me detyrën nga ana e punonjësve të Policisë dhe çdo paligjshmëri tjetër duke ju garantuar reagim të shpejtë e profesional.