Kompania celulare ONE e pranon: Në zyrat tona kanë hyrë persona të maskuar, por ne jemi të sigurt që nuk kanë bërë dëm

0

Disa muaj pasi persona të paidentifikuar dhe të maskuar kanë hyrë në zyrat e kompanisë ONE, kjo e fundit ka reaguar me një deklaratë vetëm pasi disa media e raportuan këtë ngjarje të rëndë. Skandali merr përmasa më të mëdha po të merret parasysh që as Policia e Shtetit nuk reagoi derisa media publikoi fakte nga hyrja në zyrat e kompanisë, ku ndodhen edhe serverat.

Pavarësisht publikimit me vonesë dhe nisjes së hetimeve nga Prokuroria, falë denoncimit të medias, kompania ONE gjen guximin të denoncojë pikërisht median për dezinformim, ndërkohë që në deklaratën e saj nuk i jep përgjigje disa pyetjeve të thjeshta:
• Në rast se personat e maskuar nuk kanë shkaktuar asnjë dëm, pse ONE shkarkoi nga detyra disa nga drejtuesit e kompanisë disa muaj pas ngjarjes së rëndë?
• Pse tani dhe jo në dhjetor, kur është konstatuar ndërhyrja në zyrat e ONE, kjo e fundit nuk mori masa për të ndërprerë kontratën me kompaninë e sigurisë “Nazeri shpk”?
• Dhe, e fundit por jo më pak e rëndësishme: a ka pasur muajt e fundit konstatime për ndërhyrje në serverat e kompanisë për të dhënat e klientëve “business”? A ka dijeni kompania ONE që këto të dhëna mund të jenë në duart e hakerëve?

Këto janë pyetje që çdo media në Shqipëri, qoftë pjesë ose jo e marketingut të kompanisë ONE, duhet t’ia drejtojë kësaj kompanie, e cila është pjesë e një hetimi nga SPAK bashkë me vëllain e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Përndryshe, vreri i kompanisë ndaj atyre pak mediave që të paktën ngrenë pikëpyetje për një skandal, është thjesht frikë për të fshehur disa të vërteta që deri më sot janë blerë me paratë e marketingut të kompanisë, realizuar nga Arbër Veliaj.

Për të tjerat dhe më gjatë duhet të flasë Prokuroria.

Reagimi i plotë i One:

DEKLARATË ZYRTARE NGA ONE ALBANIA

Refuzim i pretendimeve të rreme të publikuara në shtyp për një hyrje të paautorizuar në zyrat e kompanisë, në Laprakë.

Në përgjigje të informacioneve të rreme, të gabuara dhe keqinformuese, të publikuara në
shtypin dhe mediat shqiptare ditët e fundit, One Albania me anë të kësaj deklarate publikon të dhëna të disponueshme aktualisht për publikun mbi hetimin e brendshëm të kompanisë, i cili është urdhëruar të kryhet menjëherë pasi incidenti u bë i njohur. Krahas ekzaminimit, është dhënë urdhër të merren masa të menjëhershme, të rrepta në funksionimin dhe menaxhimin e One Albania.

Janë marrë masat e nevojshme për të ndërprerë kontratën e kompanisë ofruese të shërbimit të sigurisë, e cila nuk ka njoftuar për hyrjen e paligjshme dhe për më tepër nuk
ka bërë kallëzim në polici. Krahas këtyre veprimeve, drejtuesit tanë, profesionistët e sigurisë
dhe të çështjeve ligjore vazhdojnë hetimet e brendshme për të përcaktuar dhe identifikuar
përgjegjësit dhe ata që kanë shkelur procedurat që duhet të ndiqeshin në një incident si ky.

Faktet janë si më poshtë.

Një hyrje e paautorizuar me forcë fizike ka ndodhur ditën e Krishtlindjeve, 25 dhjetor 2024, rreth orës 2:30 të mëngjesit në një nga zyrat e One Albania, në Laprakë. Dy persona të maskuar kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në këto ambiente dhe kanë kaluar 23 minuta e 8 sekonda në disa korridore, para se të dilnin nga godina. Një roje sigurie i kontraktuar në detyrë, në këtë godinë, pavarësisht faktit se ishte regjistruar teksa ecte dhe kontrollonte, nuk arriti të zbulonte as personat që u futën të paautorizuar, as derën e dëmtuar të përdorur për hyrje të paligjshme. Pamjet e sigurisë kapën të gjithë kohëzgjatjen e incidentit, gjë që konfirmon se personat u tërhoqën nga ndërtesa pa marrë asgjë, pa bërë ndonjë dëmtim apo vandalizëm dhe pas kontrolleve të brendshme të imtësishme nuk u raportua mungesa e ndonjë sendi.

One Albania zbardh të vërtetën në lidhje me ngjarjen e Laprakës si më poshtë:
Kamerat e sigurisë ishin plotësisht funksionale dhe bënë regjistrimin e pamjeve të
qarta që ndihmuan në rishikimin e incidentit.
Regjistrimet e kamerave të sigurisë janë të plota, të arkivuara dhe të disponueshme
për policinë. I vetmi dëm fizik i identifikuar ishte dryni i derës së pasme, i cili u riparua
menjëherë.

Nuk ka patur ndërhyrje të paautorizuar në asnjë nga serverët tanë, të dhënat
konfidenciale të biznesit apo ato financiare. Dhoma e serverit rreptësisht e siguruar
u kontrollua dhe nuk ka patur asnjë hyrje, apo përpjekje për hyrje në atë zonë. Në
asnjë moment infrastruktura jonë digjitale nuk është kompromentuar, dëmtuar apo
vandalizuar.

Infrastruktura jonë e rrjetit mbeti e paprekur dhe e sigurt, pa asnjë ndërhyrje të
regjistruar. Kjo ngjarje nuk ka asnjë lidhje apo përkatësi politike dhe në asnjë mënyrë nuk ka
lidhje me ndonjë çështje tjetër juridike. Çdo pretendim që hamendëson të kundërtën
është plotësisht i pabazuar.

Në kuadër të procedurave tona të brendshme janë marrë masa paraprake disiplinore ndaj
punonjësve, që nuk respektuan protokollin dhe nuk arritën të përshkallëzojnë incidentin te
drejtuesit e lartë. Gjithashtu, One Albania mori masat e nevojshme për të ndërprerë kontratën me kompaninë e sigurisë, përgjegjëse për ruajtjen e ambienteve. Sistemet tona kanë mbetur të sigurta dhe plotësisht funksionale gjatë gjithë kohës.
Ne mbetemi të përkushtuar për transparencë dhe jemi në dispozicion për çdo hetim të
mëtejshëm.