Tragjedi në Gaza/ Të paktën 25 të vdekur nga bombardimi i shkollës, Izraeli pretendon se ishte bazë e Hamasit

0

GAZA – Të paktën 25 persona kanë humbur jetën dhe mbi 100 të tjerë janë plagosur në një sulm ajror izraelit në një shkollë në Gazë, ku ishin strehuar palestinezët e zhvendosur. Sulmi ndodhi në shkollën Dar al-Arqam, në lagjen Al-Tufa, në verilindje të Gazës, sipas Shërbimit të Mbrojtjes Civile të Gazës.

Ndërkohë, Izraeli e justifikoi këtë sulm duke pretenduar se ndërtesa ishte një “qendër komanduese e Hamasit”, ku terroristët planifikonin sulme kundër civilëve dhe ushtarëve izraelitë. Ky version bie ndesh me dëshmitë e palestinezëve, të cilët theksojnë se aty ishin strehuar familje të zhvendosura nga lufta.

Eksodi masiv nga Rafahu
Ndërkohë, dhjetëra mijëra palestinezë po largohen nga Rafahu, pas njoftimit të Izraelit për krijimin e një “zone sigurie” dhe avancimit të forcave izraelite në qytetin jugor të Gazës. Ky qytet ishte bërë streha e fundit për shumë nga ata që u detyruan të largohen nga zonat e tjera të konfliktit.

Ministria e Shëndetësisë e Hamasit raportoi se të paktën 97 persona u vranë në 24 orët e fundit nga sulmet izraelite, përfshirë 20 të vrarë në një sulm ajror në Sejaya, në veri të Gazës.

Dëshmitë e banorëve përshkruajnë një situatë dramatike: njerëz që ecin në këmbë ose me mjete primitive për të shpëtuar jetën, mes shkatërrimit të përgjithshëm. “Unë dua të vdes. Le të na vrasin dhe të na çlirojnë nga kjo jetë. Ne nuk jemi gjallë, ne kemi vdekur,” tha një grua palestineze, duke përshkruar dëshpërimin e popullsisë civile.

Kjo ofensivë, e cila po shoqërohet me bombardime të vazhdueshme, shënon një përshkallëzim të ri të konfliktit dhe rritjen e numrit të viktimave në një luftë që vazhdon të marrë jetë pafajshme.