Gazetari i njohur i kronikës dhe njëkohësisht investiguesi i krimit në Shqipëri e më gjërë, Artan Hoxha, ishte i ftuar në episodin e radhës së ‘Bahiti’s Podcast’.
Përmes një rrëfimi emocionues, ilustruar me raste nga më të pabesueshme të karrierës së tij, gazetari Hoxha, ka zbuluar ekskluzivisht për audiencën e ‘Bahiti Podcast’ të pathënat e botës së krimit në Shqipëri, si nisi, si evoluoi, si u organizua, ndërlidhja me politikën, biznesin dhe mafien ndërkombëtare.
Gjithashtu ai zbuloi edhe disa pasione të tij, hobi të cilat e shoqërojnë edhe sot e kësaj dite.
Një ndër pyetjet me interes të moderatores Anisa Bahiti ishte se si ka evoluar krimi në Shqipëri.
Artan Hoxha ka dhënë një pasqyrë të gjerë mbi origjinën dhe zhvillimin e këtij fenomeni.Ai theksoi se gjithçka nisi pas vitit 1997, me rënien e shtetit dhe shpërndarjen masive të armëve. Në atë moment, territori ra në duart e grupeve që u vetëorganizuan fillimisht si mbrojtje lokale, por shumë shpejt u shndërruan në banda kriminale të mirëstrukturuara.
“Fillimisht kontrabandë, pastaj trafik njerëzish, dokumentesh, prostitucion dhe në fund drogë”, tregon Hoxha. “Në vitet 2000, këto grupe kapën kontrolle të tëra në lagje, qytete e rrugë. Më pas, partitë politike i përdorën për të marrë vota. Fillimisht njëra palë, pastaj pala tjetër”.
Ky bashkëpunim i ndërsjellë midis krimit dhe politikës solli atë që Hoxha e përkufizon qartë: “Nuk ka qytet me një bandë të vetme”. Në çdo qytet shqiptar, ekzistojnë dy banda kryesore – njëra e lidhur me njërën parti, tjetra me partinë tjetër. Ky dualitet krijon një lloj “ekuilibri të frikshëm”, ku asnjë palë nuk guxon të dalë jashtë kontrollit pa pasoja.
Kjo situatë ka sjellë jo vetëm destabilitet, por edhe një formë të heshtur të shtetit paralel, ku kontrolli real nuk është më në duart e institucioneve, por në duart e atyre që kanë “territorin dhe armët”.
Emisionin e plotë e ndiqni në linkun e mëposhtëm:
https://www.youtube.com/@BAHITIsPodcast