Rama nga Luksemburgu: Anëtarësimi në BE, ekzistencial për Shqipërinë. Polonia: Kapitujt që u hapën sot, jetikë për ekonominë

0

Shqipëria dhe Bashkimi Europian zhvilluan ditën e sotme Konferencën e Katërt Ndërqeveritare. Radoslaw Sikorski, Ministër i Punëve të Jashtme të Polonisë, vend që mban presidencën e Këshillit të BE-së, tha se zgjerimi mbetet në pararojë të politikave të BE-së.

“Në situatën e përgjithshme aktuale gjeopolitike zgjerimi mbetet në pararojë të axhendës së politikave së BE. Presidenca polake mbështet një zgjerim bazuar në meritë të BE-së”, tha ai.

Sikorski e konsideroi konferencën të suksesshme dhe përgëzoi Ramën për punën në rrugëtimin drejt BE-së. Ai u shpreh se mbështetja e shqiptarëve për integrimin në BE do të jetë shtysë pozitive për Poloninë për të përshpejtuar procesin e negociatave.

“Pas një konference shumë të suksesshme ndërqeveritare me Shqipërinë gjatë së cilës grupkapitulli i dytë i negociatave kushtuar tregut të përbashkët u çel. Kapitujt që hapen sot janë jetikë për integrimin ekonomik të Shqipërisë në tregun e brendshëm të BE. Ato mbulojnë fusha kyçe ekonomike. Reformat e nevojshme do të çojnë në përputhshmëri ekonomike me BE-në, do të rrisin mundësitë tregtare dhe do ta bëjnë Shqipërinë më tërheqëse për investimet e huaja.

Ju përgëzoj kryeministri Rama dhe qeverinë tuaj për përpjekjet tuaja dhe dedikimin e qartë në rrugëtimin drejt BE. Më duhet të përsëris vetëm për faktin se shumica dërrmuese e popullit shqiptar mbështet rrugën në të cilën ju jeni. Kjo është shtysë pozitive për ne për të përshpejtuar procesin e negociatave”, tha Sikorski.

Ministri polak u shpreh ndër të tjera se Shqipëria “është një partnere e besueshme në fushën e sigurisë, si aleate e NATO-s dhe mbështetëse e palëkundur e Ukrainës”.

“Konferenca e sotme shënjon një hap shumë të rëndësishëm drejt integrimit të Shqipërisë drejt BE-së. BE-ja është e ardhme e mirë, e sigurt dhe e begatë. Qysh se kur ne e kemi përjetuar në Poloni që prej vitit 2004 dhe ata që janë larguar nga BE janë penduar për këtë. Ju siguroj që ia vlen të bëhet një përpjekje e tillë”, tha ai.

Në tryezë me përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian në Luksemburg, kryeministri Edi Rama shprehu mirënjohjen e tij veçanërisht ndaj Presidencës polake të BE dhe Komisioneres për Zgjerimin Marta Kos.

Bëri një përmbledhje kronologjike të konferencave ndërqeveritare të mëparshme, për të treguar kështu rrugëtimin pozitiv të Shqipërisë drejt familjes europiane.

“Më lejo të bashkohem me ju në shprehjen e ngushëllimeve për miqtë tanë ukrainas. Mbështes çdo fjalë që në mënyrë kaq elokuente thatë për atë çfarë ka ndodhur jo fort larg prej këtej, në tokën europiane si një krim i pamohueshëm lufte. 6 muaj më parë qëndroja po në këtë sallë, më pas çelëm bisedime për grup-kapitullin e 6-të dhe sot jemi prapë këtu për çeljen e një tjetë grup-kapitulli. Nuk mundem të mos shpreh fjalë mirënjohëse për Presidencën polake për palëkundshmërinë për ta çuar përpara këtë proces. Në një mënyrë kaq pa pengesa saqë duket vërtet diçka që është surprizuese për ne, duke marrë parasysh prej nga vijmë dhe betejat me të cilat jemi përballur. Falenderimet shkojnë si përherë për Komisionin Europian dhe Marta Kos, e cila dikur thyente rekorde duke çarë ujin dhe u bë kampione e vendit të saj, tanimë është bërë kronometri i vendeve tona dhe sigurohet që çdo lëvizje të na çojë para me disiplinë”, tha Rama.

Ai bëri me dije se synohet që grup-kapitujt të jenë mbyllur brenda vitit 2027.

“Së bashku me Komisionin dhe nën udhëheqjen disiplinore të Kos, kemi rënë dakord për një axhendë mjaft ambicioze. Po presim me padurim të sigurohemi së bashku që brenda 2027-ës të gjithë grup-kapitujt të jenë mbyllur. Jemi këtu sot për të rikonfirmuar vendosmërinë dhe pasionin tonë të plotë për të arritur këtë objektiv. Jam i sigurt që të dy miqtë e mi krah meje, por edhe të gjithë ju ta kuptoni që për Shqipërinë anëtarësimi në BE është shumë më tepër se ambicie politike apo ekonomike, është çështje ekzistenciale. Nga një vend që nuk jemi lejuar kurrë të zgjedhim tek një e ardhme që gjithmonë kemi dashur ta kemi. Barazia jonë para ligjit dhe mënyra e jetesës për fëmijët tanë e brezat e ardhshëm nuk mund të garantohet askund tjetër përveçse brenda BE-së“, përfundoi Rama.