Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka reaguar lidhur me qëndrimin e opozitës ndaj SPAK, duke theksuar se retorika e saj ka ndryshuar ndjeshëm pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Sula ka ndarë disa nga deklaratat e Sali Berishës dhe ka shprehur shqetësimin për qëndrimin e ri të PD-së.
“Tre muaj më parë, kur Erion Veliaj ende nuk ishte arrestuar, opozita mbështeste mundësinë e rikandidimit të prokurorëve të SPAK. Sot, pas një ngjarjeje të madhe në favor të drejtësisë siç është arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës, opozita del kundër,” shkruan Sula.
Ai shton se SPAK ishte një nga arsyet pse disa kandidatë për deputetë të PD-së kishin kundërshtime, dhe ngre pyetjen: “Ku fle lepuri?”
Sipas deputetit demokrat, SPAK është një nga institucionet më të rëndësishme që ka vendi për momentin dhe do të duhej të kishte mbështetjen më të madhe pikërisht nga opozita, gjë që, sipas tij, fatkeqësisht nuk po ndodh.